U la i vdekur në mes të rrugës/ Familjarët e Saimir Gjokës: Duam vetëm të dimë të vërtetën. Hidhni dritë mbi piratin e rrugës...

Kërkojmë vetëm të dimë të vërtetën, kërkojmë drejtësi. Vëllai im vdiq në një përplasje të tmerrshme atë natë dhe megjithatë personi që ishte në timon u largua pa i dhënë ndihmë, por edhe pa u përballur me pasojat e këtij veprimi të rëndë; i ‘falur’ nga ligji. Kërkojmë që të kryhen hetime, pasi ekziston një dëshmitar okular i gatshëm të tregojë atë që ka parë atë mbrëmje.

Ky është apeli i familjarëve të Saimir Gjokës, 38-vjeçar shqiptar që humbi jetën mbrëmjen e 18 tetorit 2023 si pasojë e një aksidenti tragjik në autostradën A1, në afërsi të Cognento-s, në kilometrin 158.

Mediat italiane shkruajnë se dje, familja e tij, motra, vëllai dhe bashkëshortja e 38-vjeçarit, përmes avokatëve të tyre paraqitën kundërshtim ndaj kërkesës për arkivim të çështjes të paraqitur nga prokuroria dhe gjyqtari e la vendimin në shqyrtim. Dosja është kundër personave të panjohur: vepra penale është vrasje rrugore e rënduar nga arratisja.

E kaluara e Gjokës ishte e lidhur me veprimtari të paligjshme, por sipas motrës së tij, edhe pse kishte bërë “disa marrëzi”, Saimiri e kishte shlyer dënimin dhe më pas kishte nisur një rrugë tjetër jete.

Ishte në pritje të lejes së qëndrimit dhe kishte një kontratë të rregullt pune – thotë gruaja mes lotësh. Nuk arrij të jetoj e të vazhdoj përpara kur mendoj se ai person nuk i dha ndihmë, nuk telefonoi 118-ën dhe nuk bëri asgjë për të tentuar një shpëtim të mundshëm. Dua të di se çfarë ose kush e shkaktoi një aksident kaq fatal në një autostradë me katër korsi, plotësisht bosh në atë moment.

Makina, atë mbrëmje, doli papritur nga kontrolli dhe u përplas ‘si një predhë’ me barrierën mbrojtëse për t’u përmbysur më pas. Kur mbërritën ndihmat, Saimiri kishte ndërruar tashmë jetë: kishte dalë jashtë mjetit, mbi asfalt. Ndërsa personi i dytë që ndodhej me të, i cili po drejtonte automjetin, ishte zhdukur pa gjurmë pasi kishte ikur nëpër fusha. Në vendngjarje mbërritën disa patrulla të policisë rrugore të Modena Nord, së bashku me zjarrfikësit dhe mjetet e ndihmës së shpejtë, dhe kërkimet për të arratisurin nisën menjëherë. Duket se automjeti kishte rezultuar i vjedhur dhe se brenda kishte mallra të vjedhura.

Çfarëdo që të ketë ndodhur, fakti është se vëllai im vdiq në atë përplasje dhe se, si të gjithë, sot meriton drejtësi. Ai u braktis në rrugë dhe ajo që ne po përpiqemi të zbulojmë prej më shumë se dy vitesh është thjesht e vërteta e asaj që ndodhi. Unë kam humbur vëllain tim dhe, deri më sot, nuk e di çfarë ka ndodhur atë natë. Ekziston një dëshmitar okular, thekson e motra, i cili ishte i pranishëm në makinë me vëllain tim, prandaj duam dhe këmbëngulim që ai të merret në pyetje. Pavarësisht se sinjalizimi është bërë dhe është dhënë emri i personit, kërkesa jonë për hetime të thelluara nuk është marrë kurrë në konsideratë. Të vërtetën ia kam borxh vëllait tim Saimir, djalit të tij – nipit tim Darius – dhe të gjithë familjes sonë.”