Katër anëtarë të familjes Kola humbin jetën nga rrjedhja e gazit, kryetari i komunës: Jemi të pikëlluar nga kjo ngjarje tragjike
Një tragjedi e rëndë ka goditur qytezën e Porcarit (Itali) , ku katër anëtarë të familjes shqiptare Kola kanë humbur jetën si pasojë e rrjedhjes së monoksidit të karbonit nga kaldaja e banesës së tyre.
Viktimat janë Arti Kola, 48 vjeç, Jonida, 42 vjeçe, dhe dy fëmijët, Hajdar, 22 vjeç, dhe Xhesika, 15 vjeçe.
Një person i pestë, vëllai i kryefamiljarit, mbeti i lënduar dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së mërkurës, 4 shkurt, ndërsa autoritetet italiane po vijojnë hetimet për të përcaktuar shkakun e saktë të rrjedhjes së gazit.
Në një video të publikuar në rrjete sociale, kryetari i komunës Leonardo Fornaciari shprehu ngushëllimet e tij më të thella për familjarët e viktimave, duke theksuar tronditjen dhe pikëllimin e komunitetit për humbjen tragjike të familjes Kola.
Ai u bëri thirrje banorëve të qytezës që të bashkohen në përkrahje dhe solidaritet me të afërmit e familjes në këto momente të vështira.
“Mbrëmë, më 4 shkurt, një fatkeqësi e madhe ndodhi në qytezën tonë. Një familje e tërë, familja Kola, humbi jetën në shtëpinë e saj, me shumë gjasë dhe hetimet do ta sqarojnë plotësisht, si pasojë e monoksidit të karbonit rrjedhur nga kaldaja. Babai Arti, nëna Jonida dhe dy fëmijët e tyre, Hajdar dhe Xhesika.
Të gjithë jemi të tronditur dhe të pikëlluar nga kjo ngjarje tragjike, e cila më solli menjëherë ndër mend edhe tragjedinë e familjes Malanca, e ndodhur gjithashtu në shkurt të vitit 1992.
Komuniteti ynë shtrëngohet i bashkuar rreth të afërmve dhe miqve, në një përqafim, për këtë zi të rëndë që ka goditur Porcarin"- u shpreh ai.