Blendi dhe Roberti: Pikëllim në Shqipëri për dy të rinjtë që vdiqën në rrugët e Italisë

Nga Emanuele Lubatti, UNIONE MONREGALESE

Quheshin Blendi Syla, 22 vjeç, dhe Robert Daci, 21 vjeç, dy të rinjtë shqiptarë që humbën jetën në aksidentin tragjik rrugor të së enjtes së kaluar, më 29 janar, përgjatë rrugës provinciale që lidh Savigliano-n me Vottignasco-n. Të dy po udhëtonin me një Jeep Avenger kur automjeti u përplas ballë për ballë me një kamion.

Blendi Syla, me origjinë nga Kurbini, dhe Robert Daci, banues në Mat, ndodheshin në makinë bashkë me një person të tretë, gjithashtu me shtetësi shqiptare, i cili mbeti i plagosur rëndë, por nuk ndodhet në rrezik për jetën.

Bilanci i aksidentit në Savigliano është edhe tre persona të tjerë të plagosur.

Përplasja ishte jashtëzakonisht e fortë. Dy të rinjtë mbetën të bllokuar mes llamarinave të automjetit dhe u nxorën nga ekipet e urgjencës  me ndihmën e zjarrfikësve. Fatkeqësisht, për të dy nuk pati asgjë për t’u bërë. Trupat e pajetë janë në pritje të përfundimit të procedurave të nevojshme për riatdhesimin në Shqipëri, ku do të varrosen pranë familjarëve të tyre.

Në kamionin e përfshirë në përplasje udhëtonin një burrë dhe një grua, të dy të plagosur dhe të transportuar përkatësisht në Spitalin e Saviglianos dhe në Spitalin e Cuneos. Gjendja e tyre shëndetësore nuk paraqet shqetësime.

Identiteti i viktimave nuk ishte bërë publik nga autoritetet lokale, për shkak të vështirësive në identifikimin e trupave dhe rëndësisë së plagëve të marra nga drejtuesi i Jeep-it.

Megjithatë, ditët në vijim lajmi nisi të qarkullojë në media dhe në gazetat shqiptare. Në një nga mesazhet e publikuara online, xhaxhai i Blendi Sylës njoftoi për zinë që ka goditur familjen, duke shpjeguar se data e ceremonisë mortore nuk është caktuar ende, në pritje të kthimit të trupit në atdhe.

Rruga provinciale mbeti e mbyllur për disa orë për të mundësuar operacionet e shpëtimit dhe kryerjen e hetimeve nga forcat e rendit, të cilat po punojnë për të rindërtuar dinamikën e saktë të aksidentit.

Kjo tragjedi sjell ndër mend një tjetër humbje të rëndë që ka prekur komunitetin shqiptar të zonës: Klaudio Gjoka, 22 vjeç, banues në Saluzzo, i cili humbi jetën më pak se një muaj më parë, më 22 janar, në një aksident të ndodhur në Revello, ku u përplas nga pas me një mjet të rëndë.