'Paratë janë, por vidhen', Lika: Ja si mund të kishte çdo shqiptar një asistencë sociale dinjitoze…

Debati mbi asistencën sociale në Shqipëri, një term i ngecur prej vitesh në ngërçin politik, merr një dimension të ri kur analizohet nga këndvështrimi ekonomik dhe i të drejtave të njeriut. Sipas auditueses ligjore Meri Lika që ishte e ftuar në emisionin e mëngjesit Kafe Shqeto në Syri tv , ajo që ofrohet sot në Shqipëri nuk mund të quhet asistencë, por “lëmoshë sociale”, duke iu referuar shumave minimale, shpesh deri në 30 euro në muaj, të cilat janë të pamjaftueshme për një jetesë dinjitoze.

Gjatë bisedës me moderatorin e emisionit Flavio Qarri, një asistencë sociale e mirëfilltë, siç aplikohet në vendet e tjera të botës, duhet të jetë një pagesë dinjitoze që mbulon nevojat themelore si qiraja, faturat e dritave dhe ujit, si dhe ushqimi. Një sistem i tillë nuk synon të mbulojë luksin, si kinemaja apo teatri, por garanton kushtet minimale të jetesës, në përputhje me të drejtat themelore të njeriut.

Pyetjes nëse Shqipëria i ka mundësitë financiare për një skemë të tillë, ekspertja i përgjigjet me një “po” të prerë. Ajo argumenton se problemi nuk qëndron te mungesa e fondeve, por te keqmenaxhimi dhe korrupsioni. “Nisur nga vjedhjet që i bëhen fondeve publike, mendoj që i ka dhe i ka shumë të mira madje. Nëse nuk do vidhet, fondet janë”, thekson Lika. Sipas kësaj logjike, lufta kundër korrupsionit do të lironte burimet e nevojshme për të financuar një mbrojtje sociale të denjë për çdo qytetar.

Megjithatë, një skemë e tillë duhet të jetë e kushtëzuar dhe jo një privilegj i përjetshëm. Për personat e aftë për punë, ndihma ekonomike duhet të shërbejë si një mbështetje e përkohshme. Nëse një individit i ofrohen vende pune dhe ai i refuzon pa arsye, atëherë asistenca duhet të ndërpritet. Ky mekanizëm siguron që sistemi të mos dekurajojë punën, por të shërbejë si një rrjet sigurie derisa personi të gjejë një mundësi punësimi.

Në këtë kontekst, krijohet një paradoks kur shihet se tregu shqiptar i punës po thith gjithnjë e më shumë punëtorë të huaj nga vende si Bangladeshi apo Pakistani. Kjo tregon se vende pune ekzistojnë, por për arsye të ndryshme nuk po arrijnë të plotësohen nga fuqia punëtore vendase që përfiton nga skemat e ndihmës.

Si një hap pozitiv shihet nisma që menaxhimi i kësaj çështjeje t’i kalojë Kuvendit, duke e larguar nga duart e qeverisë dhe duke e depolitizuar atë. Në fund të ditës, transformimi i “lëmoshës sociale” në një asistencë dinjitoze duket se nuk është çështje kapacitetesh financiare, por një sfidë e vullnetit politik dhe qeverisjes së mirë.

Flavio Qarri: Rikthehemi të flasim për një nga termat më të famshëm në Shqipëri, asistenca sociale dhe nuk donim ta shihni nga aspekti politik, donim ta lexonim nga aspekti numerik dhe për këtë, patjetër që kemi bezdisur Meri Likën. Mirëmëngjesi, mirë se erdhe. Tani është pak e paqartë mbi të gjitha, duket se ka një ngërç shumë të madh politik te termi asistencë sociale. Në vlerësimin tuaj, sigurisht një koment politik nëse e keni, por megjithatë cili do të ishte impakti i vërtetë ekonomik nëse do të kishim një asistencë sociale konform të drejtave të njeriut mbi të gjitha. Pra jetës me dinjitet.

Meri Lika: Dinjitoze. Po shembujt se çdo gjë që ne tentojmë ta bëjmë nuk është që po ndodh për herë të parë në Shqipëri. Këto i kanë dhe vendet e tjera të botës. Kanë një asistencë e cila është një pagesë me dinjitet që të përballojë qera shtëpie, drita, ujë, energji ato shpenzimet e tjera, por dhe të jetojë, të ushqehet. Sigurisht që nuk janë të përfshira luksi, kinemaja apo teatri, por janë të përfshira kushtet normale dhe minimale të jetesës së një personi. Në Shqipëri kjo nuk ka ndodhur asnjëherë. Unë nuk do ta quaja asistencë sociale, por do ta quaja lëmosha sociale sepse ajo ka qenë me 30 euro në muaj, në disa raste dhe 58 mijë lekë të vjetra.

Po, varet nga mënyra se për çfarë është trajtuar me këtë ndihmën ekonomike, se kështu quhet në fakt. Se në asistencë përfshihen të gjitha, edhe asistenca kur del një person që largohet nga një vend pune, domethënë që e pushojnë nga puna, ose për arsye të ndryshme që mbyllet një institucion, një vend pune. Por kjo është ndihma ekonomike. Në përgjithësi u jepet edhe personave që janë me aftësi të kufizuara, të cilët të kufizuara dhe u jepet familjarëve të tyre për përkujdesje. Ndërsa ndihmë ekonomike që u jepet personave të cilët janë të aftë për punë është e vogël, por dhe nuk ka atë efektivitetin që ka nëpër vendet e tjera të botës, sepse edhe në Evropë ku ne synojmë të hyjmë, sepse ne në Evropë, aty u afrohet kjo ndihmë ekonomike për një periudhë të caktuar kohe kur u ofrohen vendet e punës dhe derisa në një moment të caktuar një person nuk pranon vendet e punës, atëherë i ndërpritet edhe kjo e ardhur. Prandaj duhet të jetë me dinjitet, që ai do mbahet nga shoqëria për aq kohë sa nuk mund të ketë, nuk mund të gjejë punë në tregun e punës. Ndërsa në Shqipëri nuk ndodh kjo. Në përgjithësi, domethënë, të mos e kthenim shumë në politikë, por në fakt përdoret për njerëzit të cilët i shërbejnë pushtetit.

Më vjen mirë që iniciativa është përkrahur që ajo t'i kalojë parlamentit dhe të mos jetë më në dorën e qeverisë dhe shpresoj që të bëhet realisht.

Flavio Qarri: Edhe pse me atë mazhorancë numrash duket sikur ende do të jetë në një farë forme në dorën e qeverisë. Sidoqoftë, rikthehemi pak tek impakti ekonomik dhe numrat. I ka e para njëherë, i ka Shqipëria shifrat dhe buxhetet për të pasur një asistencë sociale që të kemi një mbrojtje sociale?

Meri Lika: Nisur nga kushtet ekonomike që ka Shqipëria sot, mendojmë që nuk i ka, por nisur nga vjedhjet që i bëhen fondeve publike, mendoj që i ka dhe i ka shumë të mira madje. Nëse nuk do vidhet, mendoj që fondet janë. Por nëse vidhet siç është vjedhur deri tani….

Nëse do mendojmë që nuk do vidhet, atëherë domethënë të flemë me ëndrrën që nuk do vidhet, atëherë në këto kushte mendoj që po, janë fondet për t'i dhënë dinjitet çdo njeriu, që jeton në Shqipëri. Po, më fal, në qoftë se atje tek kronika thatë, 1/4 është në varfëri, që janë, nëse marrim një popullsi 1 milion e gjysëm, janë 375.000 persona që jetojnë në varfëri.

Flavio Qarri: Cilat do të ishin shifrat në vlerësimin tuaj, zonja Lika, me buxhetin e deklaruar të shtetit?

Meri Lika: Po shiko njëherë, minimumi duhet të ishte një rrogë minimale. Aq sa ç'është për një punonjës, një njeri që punon dhe mund të ketë një rrogë të tillë minimale, po dhe për një person të tillë duhet të jetë me rrogë minimale. Por duhet të jetë me kushte, që nëse ty të ofrohen disa, je fuqi punëtore që mund të punosh, por ty të ofrohen disa vende pune dhe ti nuk i preferon, atëherë ti je i detyruar që të mos paguhesh më. Domethënë ndërpritet...

Patjetër do të duhet ta humbasësh. Se një person, një i aftë për punë, i cili do të rrijë tërë jetën me asistencë, unë mendoj që kjo nuk është e mirë për shoqërinë, por duhet të ketë një kusht të caktuar, që duhet t'i ofrohen vende pune. Dhe mendoj që në kushtet kur në Shqipëri vendet e punës janë për bangladeshasit dhe pakistanezët, mendoj që një shqiptari duhet t'i ofrohet patjetër një vend pune dinjitoz, që të mos jetë as me rrogën minimale, sepse të gjithë këta punëtorë që vijnë nga jashtë nuk janë me paga minimale….