Pse quhet ‘dita magjike’ e futbollit? Ronaldo, Neymar dhe ‘yjet’ e tjerë që kanë lindur më 5 shkurt

5 shkurti konsiderohet prej vitesh si dita më fatlume për ata që ëndërrojnë të bëhen futbollistë profesionistë – të paktën sipas një “legjende” që vazhdon të ushqehet nga emra të mëdhenj të historisë së lojës.

Sipas “SunSport”, kjo datë duket sikur ka një magji të veçantë futbollistike.

Nëse keni lindur më 5 shkurt, teorikisht mund të formoni një ekip ëndrrash me lojtarë si Cristiano Ronaldo, Neymar, Carlos Tevez dhe Gheorghe Hagi – emra që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në futbollin botëror.

Lista e ditëlindjeve të 5 shkurtit nuk ndalet këtu. Mes futbollistëve të njohur që festojnë sot janë edhe Giovanni van Bronckhorst, Vedran Ćorluka, Adnan Januzaj, Patrick Roberts dhe Billy Sharp.

Edhe pse ky “ekip ditëlindjesh” mund të mos ketë shumë mbrojtës apo një portier të qartë, fuqia sulmuese dhe talenti janë të padiskutueshme.

“SunSport” ka shkuar edhe më tej, duke tentuar të krijojë ekipin më të fortë të mundshëm bazuar vetëm në datëlindje.

Procesi rezultoi më i vështirë nga sa pritej, ndaj në fund u vendos që të renditen pesë futbollistët më të mirë të lindur në çdo ditë të vitit.

Pavarësisht lodhjes së këtij projekti ambicioz, pyetja mbetet e hapur: a ka ndonjë datë tjetër që mund t’ia rrëmbejë “kurorën” 5 shkurtit, ditës që bashkon disa nga emrat më të mëdhenj të futbollit botëror?

5 Shkurti mbetet data me “yjet” më të mëdhenj në historinë e futbollit.