Dëshmia një prej viktimave të Epstein: Më abuzuan 16 vjeç, ja pse mendoj që Jeffrey nuk ka vrarë veten
Haley Robson, një nga viktimat e Jeffrey Epstein, rrëfen se u abuzua seksualisht në moshën 16-vjeçare, pasi u rekrutua nga persona të afërt me rrethin e financierit. Ajo përshkruan se u ftua me pretekst në rezidencën e Epstein, ku u mbajt dhe u abuzua për rreth një orë.
Robson akuzon Departamentin Amerikan të Drejtësisë se ka publikuar gabimisht të dhëna shumë sensitive të dhjetëra viktimave, përfshirë dokumente identiteti, adresa, numra sigurimesh shoqërore dhe fotografi të pacensuruara, duke i viktimizuar ato për herë të dytë. Ndërkohë, zëvendësprokurori i përgjithshëm Todd Blanche konfirmoi se hetimi është mbyllur dhe nuk priten padi të reja.
Deputeti republikan Thomas Massie, i cili kishte kërkuar publikimin e dosjeve Epstein, deklaroi se ndonëse drejtësia mund të mos vihet në vend, shumë prej emrave të përmendur do të mbajnë përgjithmonë një njollë publike.
Robson shprehet kritike ndaj Presidentit Donald Trump, duke e akuzuar për mungesë transparence dhe për lidhje të afërta me Epstein. Ajo thotë se administrata amerikane ka refuzuar të nisë hetime të thelluara mbi bashkëpunëtorët e mundshëm, përfshirë figura të larta politike.
Sa i përket vdekjes së Epstein, Robson shpreh bindjen se ai nuk ka kryer vetëvrasje, por është vrarë, duke e përshkruar atë si një manipulator të aftë, për të cilin vetëvrasja nuk ishte e besueshme.
Sot, Haley Robson është aktiviste dhe punon për mbështetjen e viktimave të abuzimit seksual, veçanërisht grave dhe fëmijëve. Ajo thekson se dhimbja është shndërruar në forcë dhe se beteja për drejtësi, e nisur nga Virginia Giuffre, ka sjellë rezultate konkrete në ekspozimin e disa prej figurave të fuqishme të përfshira.