'Në Tiranë ka vajza të jashtëzakonshme' / Instituti Nobel kërkon sqarime nga Jagland për lidhjet me Epstein
Instituti Nobel ka njoftuar se pret sqarime nga ish-kryeministri i Norvegjisë, Thorbjørn Jagland, i cili ka shërbyer edhe si president i Komitetit Nobel për Paqen, lidhur me raportet për lidhjet e tij me financuesin amerikan të dënuar, Jeffrey Epstein.
Drejtori i Institutit, Christian Berg Harpvikken, deklaroi se nëse rezulton se Jagland ka marrë përfitime të konsiderueshme financiare nga Epstein gjatë kohës që drejtonte Komitetin, kjo do të përbënte shkelje të kodit të etikës. Ai theksoi, megjithatë, se Instituti nuk ka ndërmend të nxjerrë përfundime pa dëgjuar versionin e tij të ngjarjeve.
Sipas gazetës norvegjeze VG, Instituti do të shqyrtojë me kujdes si dokumentet e publikuara së fundmi nga autoritetet amerikane, ashtu edhe sqarimet që Jagland ka dhënë ose do të japë.
Harpvikken tha: “Na intereson të lexojmë dhe të vlerësojmë seriozisht shpjegimin që ai jep lidhur me dokumentet.”
Drejtori i Institutit gjithashtu nënvizon se, nëse kontaktet e përshkruara nga mediat përputhen me realitetin, bëhet fjalë për marrëdhënie që duhej të ishin deklaruar dhe regjistruar në kohë.
Sipas tij, ky lloj kontakti nuk ishte i njohur as nga Instituti Nobel dhe as nga anëtarët e Komitetit gjatë asaj periudhe.
Ish-sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Europës Thorbjørn Jagland kishte komunikuar me Jeffrey Epstein edhe një ditë pas një vizite zyrtare në Shqipëri, më 25 maj 2012.
Në komunikimin me email, Jagland i shkruan shkurt Epsteinit: “Kam qenë në Tiranë, vajza të jashtëzakonshme”.
Në kuadër të zhvillimeve të fundit, Instituti Nobel i Norvegjisë njoftoi se do të kryejë një rishikim të ri të politikave dhe procedurave të brendshme, duke theksuar nevojën për kujdes të shtuar dhe transparencë në funksionimin e Komitetit Nobel për Paqen.