VIDEO/ Çmenduri në Stamboll për Kanté, Fenerbahçe prezanton ‘yllin’ francez

Stambolli ka përjetuar momente të jashtëzakonshme me mbërritjen e N’Golo Kanté-së, i cili është zyrtarisht përforcimi më i ri i Fenerbahçes, pasi u largua nga Al Ittihad, skuadër e drejtuar nga Sérgio Conceição. Transferimi i kampionit të botës me Francën ka shkaktuar një entuziazëm të papërmbajtshëm, duke kthyer aeroportin Sabiha Gökçen në një skenë feste, por edhe kaosi.

Mijëra tifozë të Fenerbahçes u mblodhën për të pritur mesfushorin francez, me pishtarë, tymuese dhe brohoritje të pandërprera, aq sa u desh edhe ndërhyrja e presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan për të garantuar mbarëvajtjen e situatës. Pamje të tilla janë të njohura në Stamboll, por këtë herë përmasat ishin edhe më të mëdha, duke konfirmuar peshën e madhe të emrit Kanté.

Interesi ishte i jashtëzakonshëm edhe në rrjetet sociale: transmetimi i fluturimit të tij në YouTube u ndoq fillimisht nga rreth 100 mijë shikues dhe numri u rrit ndjeshëm me afrimin e uljes. Sapo zbriti, Kanté vendosi shallin e Fenerbahçes dhe përshëndeti tifozët, ndërsa hapi i radhës do të jetë firma në kontratë.

Sipas të dhënave financiare të publikuara, Kanté do të përfitojë 5.5 milionë euro deri në fund të sezonit 2025/26, ndërsa për sezonet 2026/27 dhe 2027/28 do të arkëtojë 11 milionë euro në vit, pa përfshirë bonuset. Në total, shuma mund të shkojë deri në 14.4 milionë euro.

Me 65 paraqitje me kombëtaren franceze, Kanté synon të luajë në Europë për të ruajtur formën optimale në prag të Kupës së Botës 2026, që do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada. Fenerbahçe, ndërkohë, fiton një emër gjigant dhe një lider të padiskutueshëm në mesfushë.