VIDEO/ Punonjësi i Bashkisë Vlorë Alket Hila sulmoi gazetarin e SYRI-t gjatë protestës, tenton t'i marrë mikrofonin
Një ngjarje e paprecedentë u shënua paraditen e sotme në qytetin e Vlorës. Alket Hila, punonjës i Bashkisë së Vlorës, sulmoi fizikisht gazetarin e SYRI-t, Gentjan Këllçiu, i cili po pasqyronte protestën e punonjësve të Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike të qytetit bregdetar.
Ngjarja ka ndodhur mesditën e sotme, teksa gazetari i SYRI-t po raportonte live protestën. Sipas dëshmisë së Gentjan Këllçiut, situata u përshkallëzua në mënyrë të papritur dhe të dhunshme. 33 vjeçari ka tentuar t'i rrëmbejë mikrofonin nga duart dhe këtu situata është përshkallëzuar.
‘Isha duke pasqyruar protestën e punonjësve të Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike, kur papritmas erdhi dhe më rrëmbeu mikrofonin nga duart, duke tentuar ta largojë me forcë. Nuk e lash dhe nga tensioni situata eskaloi. Pas kësaj, u kërcënova dhe u godita. Kërkova menjëherë ndihmën e policisë’, ka treguar gazetari i SYRI-t.
Kjo tentativë për të mbyllur gojën u dënua dhe nga Shoqata e Gazetarëve të Vlorës.
Sipas policisë, gjatë momentit të tensionuar, Alket Hila ka ushtruar dhunë edhe ndaj një qytetari 67-vjeçar, duke e goditur me grushte dhe duke i shkaktuar dëmtime të lehta.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprat penale ‘Goditja për shkak të detyrës’ dhe ‘Dëmtime të tjera me dashje’, në ngarkim të shtetasit A. H., 33 vjeç, banues në Vlorë.
Më datë 04.02.2026, rreth orës 12:30, në lagjen ‘Kushtrimi’, Vlorë, ku ishte njoftuar zhvillimi i një proteste nga punonjësit e Ndërmarrjes së Gjelbërimit të Bashkisë Vlorë, dhe ku të pranishëm ishin edhe gazetarë të mediave të ndryshme për pasqyrimin e situatës, shtetasi A. H., dyshohet në gjendje të dehur, ka nisur fillimisht debate verbale dhe më pas fizike me shtetasin G. K., 33 vjeç, me profesion gazetar.
Më pas ka goditur me grushte edhe një 67-vjeçar, duke i shkaktuar dëmtime të lehta.
Shtetasi A. H, u shoqërua në Komisariatin e Policisë Vlorë dhe, pas përfundimit të veprimeve të para hetimore dhe komunikimit me Prokurorin e gatshëm, u procedua penalisht në gjendje të lirë, ndërsa materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Në lidhje me ngjarjen ka reaguar edhe shoqata e gazetarëve të Vlorës.
Shoqata e Gazetarëve të Vlorës reagon sot duke dënuar fort çdo veprim që kërkon të pengojë punën e medias në qytet.
Marrë shkas nga një situatë e paprecedentë e ndodhur ditën e sotme, ku gjatë procesit të punës, teksa gjendeshin duke raportuar mbi protestën e punonjësve të Ndërmarrjes së Pastrimit, disa prej gazetarëve të qytetit të Vlorës janë dhunuar, fyer, kërcënuar dhe intimiduar për shkak të detyrës.
Sot, një shtetas, punonjës i Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike, ka dhunuar fizikisht kolegun Gentian Këllçiu, ka fyer e kërcënuar edhe gazetarët e tjerë prezentë.
Mbi këtë ngjarje, që është veçse një tentativë e pasuksesshme për të mbyllur gojën, dënojmë jo vetëm individin që kryen aktin e dhunimit, por edhe reagimin e cunguar institucional.
Pavarësisht dëshirës së shprehur, nëpërmjet akteve të dhunës, për të ndaluar trajtimin dhe transmetimin e çështjeve të caktuara, ajo që mbetet e patjetërsueshme është se :për gazetarin prevalon interesi i qytetarëve, mbi të gjitha shtresave që kanë nevojë për zërin e medias.
Gazetarët kanë për detyrë të raportojnë mbi ngjarjet e qytetit dhe, për cilindo që kërkon të pengojë këtë mision, mund t’u themi me bindje: Nuk do të keni sukses!