Prokuroria e Tiranës nis hetime ndaj disa postave private
Prokuroria e Tiranës ka ushtruar kontrolle në disa subjekte që ofrojnë shërbime postare private në kryeqytet, në kuadër të një hetimi për evazion fiskal.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrolleve janë sekuestruar rreth 13 milionë lekë, si dhe sasi të konsiderueshme mallrash të marra në dorëzim pa fatura tatimore, përfshirë edhe dokumentacion shoqërues. Këto prova, sipas organit të akuzës, tregojnë dyshime të arsyeshme për ushtrim aktiviteti të kundërligjshëm dhe shmangie të detyrimeve fiskale.
Prokuroria bën me dije se hetimet po vijojnë për identifikimin e shitësve realë, si dhe për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së paligjshme.
Njoftimi i Prokurorisë:
Hetime subjekteve që ofrojnë shërbime postare, Prokuroria Tiranë regjistron procedim penal për evazion fiskal për mallrat që shiten pa faturë, sekuestrohen 13 mln lekë.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë regjistron procedimin penal nr.156, viti 2026, për veprën penale të evazionit fiskal, të parashikuar nga neni 180 i Kodit Penal.
Pas lejimit nga gjykata, me kërkesë të organit procedues, si rrjedhojë u ushtruan kontrolle në disa subjekte që ofrojnë shërbime postare në kryeqytet.
Deri më tani, nga kontrollet janë sekuestruar sasi të konsiderueshme mallrash të marra në dorëzim pa fatura tatimore, 13 milionë lekë, si dhe dokumentacion shoqërues, prova që sipas Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, tregojnë paligjshmëri në drejtim të evazionit fiskal, si dhe shuma parash që dyshohen se rrjedhin nga aktiviteti i paligjshëm.
Hetimet vijojnë për identifikimin e shitësve realë dhe dokumentimin e plotë të veprimtarisë së kundërligjshme.