Ekspert imobiliar: Shumë pronarë po kthehen nga Airbnb te qiratë afatgjata për shkak të...
I ftuar në ‘Kush Paguan’ në Syri TV, me gazetaren Klaudia Karabolli, eksperti imobiliar Ervin Demirxhiu, shpjegoi se një numër i konsiderueshëm pronarësh që më parë ofronin apartamente për qira ditore përmes platformave si Airbnb po i kthejnë ato tek qiratë afatgjata.
Sipas tij, ky ndryshim vjen si pasojë e lodhjes dhe angazhimit të madh që kërkon menaxhimi i qirasë ditore, një biznes që kërkon përkushtim, vëmendje ndaj detajeve dhe mirëmbajtje të vazhdueshme për të ruajtur standardet dhe review-të pozitive.
Demirxhiu shton se shumë prej këtyre pronarëve fillimisht u tërhoqën nga shifrat joshëse të qirave ditore, por pa llogaritur kostot reale dhe përpjekjet që kërkon një menaxhim profesional, duke bërë që sot shumë të zgjedhin rrugën e qirave afatgjata
Ervin Demirxhiu: Po, kemi shumë realisht. Kemi, biles këto kohë kemi pasur disa apartamente që prej vitesh janë dhënë me Airbnb dhe janë kthyer me qera të afatgjatë. Janë klientë të cilët janë lodhur, domethënë sepse tek kostot ne harrojmë koston e amortizimit të njeriut. Se realisht një person që merret me Airbnb, unë them që amortizohet shumë më shpejt se një person që merret me një punë tjetër.
Sepse realisht është punë shumë e lodhshme, impenjative, domethënë sepse ne e kuptojmë shumë thjesht, domethënë çfarë do bësh? Do japësh një apartament me qira, do e sistemosh, jo. Realisht të japësh një apartament me qira ditore është një biznes i mirëfilltë dhe do shumë angazhim. Do një përkushtim të jashtëzakonshëm, sepse duhet të jetë, gjithmonë apartamenti duhet të jetë ‘xix’, kur themi duhet të jetë gjithmonë në kushte optimale, shumë të mira sepse funksionojnë dhe review-të, që në momentin që do marrësh disa review negative, sigurisht që nuk, nuk je më në treg, ke dal nga tregu dhe për këtë arsye ti do të jesh gjithmonë, domethënë, në top formë.
Tani këto që janë kthyer mbrapsht, kanë bërë një hap mbrapsht, janë pikërisht ato persona që kanë pasur apartamentet e tyre. Kanë pasur deri në pesë apartamente, apo dhe më pak. Pra që nuk, nuk është se ka qenë një biznes i mirëfilltë. Por e kanë menduar duke dëgjuar shifrat, sa jepet një natë e të tjerë e të tjerë. Duke bërë llogari të thjeshta, pa llogaritur kostot që realisht kanë, ju kanë futur kësaj pune. Sigurisht që fillimi është i lezetshëm, mund të themi, sepse të marrësh një apartament në Tiranë, unë kam dëgjuar dhe shifra te këto klientë që kanë pasur 150 euro, 200 euro, se realisht apartamente shumë të mira. Edhe të investuara, luksoze... Dhe janë kthyer tani duke i dhënë me qira afatgjata.