Ceremonia hapëse e Lojërave Olimpike Dimërore/ Ja pse pse Shqipëria nuk parakalon në ‘San Siro’

Ceremonia hapëse e Lojërave Olimpike Dimërore Milano Cortina 2026 do të zhvillohet më 6 shkurt 2026, në stadiumin legjendar ‘San Siro’, në Milano, duke nisur nga ora 20:00. Organizatorët kanë përzgjedhur një format të veçantë këtë edicion, me paradën e atletëve të shpërndarë në disa lokacione ikonike të Italisë.

Përveç Milanos, ceremonia dhe aktivitetet simbolike do të zhvillohen edhe në Cortina d’Ampezzo, Livigno, Predazzo dhe Bormio, qytete që do të presin parakalime dhe evente të dedikuara për sportistët e vendeve pjesëmarrëse. Në këto skena, shumë atletë të njohur botërorë do të mbajnë flamujt kombëtarë, duke përfaqësuar krenarinë e shteteve të tyre.

Sa i përket Shqipërisë, situata është disi ndryshe. Vendi ynë nuk do të jetë pjesë e paradës së atletëve në stadiumin ‘San Siro’, për shkak të një procedure administrative. Sipas burimeve zyrtare, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) nuk e ka dorëzuar në kohë listën përkatëse të sportistëve për këtë segment të ceremonisë, çka ka sjellë përjashtimin nga parakalimi në Milano.

Megjithatë, Shqipëria do të jetë e përfaqësuar në ceremoni të tjera zyrtare. Flamuri kuqezi do të mbahet nga Lara Colturi në ceremoninë që do të zhvillohet në Cortina d’Ampezzo, ndërsa Denni Xhepa do ta mbajë flamurin në Bormio (Livigno). Të dy janë përfaqësues të skisë alpine, disiplinë ku Shqipëria do të marrë pjesë edhe në garat olimpike.

Edhe pse mungesa në ‘San Siro’ ka krijuar diskutime, prania e sportistëve shqiptarë në këto qytete simbol të sporteve dimërore mbetet një moment krenarie. Shqipëria vazhdon të shënojë hapa përpara në arenën olimpike, duke u përfaqësuar me dinjitet në skinë alpine në Milano Cortina 2026. Flamuri shqiptar do të valëvitet në Cortina dhe Bormio, pavarësisht mungesës në paradën e ‘San Siros’.