Raporti i IFIMES/ Meta: Drejtësia po përdoret si zgjatim i narkopushtetit! Më 8 shkurt seanca në Kushtetuese
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar pas publikimit të studimit të Institutit Ndërkombëtar për Studime të Lindjes së Mesme dhe Ballkanit (IFIMES), i cili analizon standardet e të drejtave të njeriut dhe funksionimin e drejtësisë në Shqipëri, me fokus të veçantë në rastin e tij.
Në reagimin e tij, Meta falënderon IFIMES për atë që e cilëson si një analizë të thelluar, transparente dhe objektive, duke theksuar se studimi pasqyron qartë degradimin e shtetit të së drejtës në vend.
“Falenderoj IFIMES për transparencën e thelluar dhe shumë objektive, që i bën këtij rasti kuptimplotë dhe që paraqet pa asnjë ekuivok degradimin total të shtetit të së drejtës dhe përdorimin e drejtësisë si zgjatim i narkopushtetit për persekutimin dhe izolimin e kundërshtarëve politikë,” shprehet Meta.
Ai shton se, sipas tij, këto janë përpjekje të dështuara jo vetëm të atyre që, siç thotë ai, i ndërmarrin këto veprime, por edhe të atyre që “i mbyllin sytë” ndaj situatës.
Në përfundim të reagimit, Ilir Meta shprehet i bindur se demokracia do të triumfojë: “Demokracia absolutisht do të fitojë sepse jemi të vendosur me çdo çmim për triumfin e saj!”
Seanca në Kushtetuese
Ndërkohë më datën 8 prill ora 11:00, Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë ankimimin e ish-presidentit të Republikës kundër masave të sigurisë “arrest në burg”.
Shqyrtimi në Gjykatën Kushtetuese do të bëhet në bazë dokumentesh, pa praninë e ish-presidentit Meta dhe të përfaqësuesve të SPAK.
Në Kushtetuese, Meta, i cili qëndron në paraburgim prej tetorit 2024, kërkon të shfuqizojë vendimet Shkallës së Parë dhe Apelit të Posaçëm dhe atë të Gjykatës së Lartë për lënien e tij në masën e sigurisë “arrest në burg”.