Po ndiqte protestën/ Goditet gazetari i Syri TV në Vlorë, procedohet penalisht 33-vjeçari

Gazetari i Syri TV, Gentian Këllçiu është penguar sot gjatë punës së tij për ndjekjen e protestës së punonjësve të Ndërmarrjes së Gjelbërimit të Bashkisë Vlorë

Një 33 vjeçar ka tentuar t'i marrë mikrofonin gazetarit, kjo ka shkaktuar debat verbal por dhe më pas konflikt fizik. 

Gazetari Gentjan Këllçiu tregon si ndodhi ngjarja:

"Isha duke pasqyruar protestën e punonjësve të Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike, kur papritmas shtetasi A. H. erdhi dhe mori mikrofonin nga duar, duke tentuar ta heqë forcërisht. Nuk e lash, dhe nga tensioni situata eskaloi." Gazetari gjithashtu theksoi se, pas këtij momenti, ai është kërcënuar dhe goditur, ndërsa ka kërkuar ndihmën e policisë.

 Në një moment të tensionuar, shtetasi A. H. ka goditur me grushte edhe një person tjetër, një 67-vjeçar. Policia thotë se ka nisur procedim penal ndaj A.H për veprat penale “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Dëmtime të tjera me dashje.

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprat penale “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”, në ngarkim të shtetasit A. H., 33 vjeç, banues në Vlorë.

Më datë 04.02.2026, rreth orës 12:30, në lagjen “Kushtrimi”, Vlorë, ku ishte njoftuar zhvillimi i një proteste nga punonjësit e Ndërmarrjes së Gjelbërimit të Bashkisë Vlorë, dhe ku të pranishëm ishin edhe gazetarë të mediave të ndryshme për pasqyrimin e situatës, shtetasi A. H., dyshohet në gjendje të dehur, ka nisur fillimisht debate verbale dhe më pas fizike me shtetasin G. K., 33 vjeç, me profesion gazetar.

Më pas ka goditur me grushte edhe një 67-vjeçar, duke i shkaktuar dëmtime të lehta.

Shtetasi A. H, u shoqërua në Komisariatin e Policisë Vlorë dhe, pas përfundimit të veprimeve të para hetimore dhe komunikimit me Prokurorin e gatshëm, u procedua penalisht  në gjendje të lirë, ndërsa materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.