'Nuk kalon as tanku, jo më makinat'/ Pamjet pa koment të rrugës në bashkinë Selenicë

Aksi rrugor që lidh fshatrat Amonicë dhe Mallkeq, pjesë e Bashkisë Selenicë, është në gjendje tejet të degraduar, duke e bërë qarkullimin pothuajse të pamundur për banorët dhe mjetet.

Gjendja e rrugës është aq e dëmtuar, sa do të ngecte edhe një mjet i rëndë ushtarak, e jo më automjetet e banorëve.

Pamjet e mbërritura në redaksinë e Syri-t tregojnë gropa të thella, baltë dhe segmente të rrugës tërësisht të shkatërruara, duke e kthyer në rrezik të përditshëm për jetën e banorëve që e shfrytëzojnë, por dhe në dëmtimin e makinave të tyre.

Situata përkeqësohet edhe më shumë gjatë reshjeve të shiut, kur banorët izolohen plotësisht, dhe lidhja me zonat përreth ndërpritet edhe për ditë të tëra.

Nga gjendja aktuale, aksi rrugor është dëshmi e qartë se nuk ka parë ndërhyrje apo mirëmbajtje prej vitesh, pavarësisht se është rrugë jetike për komunitetin që lidh dy fshatra të Bashkisë Selenicë.

Banorët bëjnë thirrje për ndërhyrje sa më parë të autoriteteve vendore.