‘Përplasja’ Rama- Gjyqësor/ ‘S’ka harmoni mes pushteteve’, Shella: Pagat s’i vendos ekzekutivi, Kuvendi ndan buxhetet!
Debati për rritjen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve është shndërruar në një përplasje të hapur mes pushtetit gjyqësor dhe atij ekzekutiv, duke nxjerrë në pah një krizë të thellë në raportet mes tyre dhe funksionimin e parimit të ndarjes së pushteteve.
I ftuar në emisionin ‘Task Force’ në Syri Tv, drejtori i INFOÇIP, Gerti Shella duke u nisur nga kjo ‘përplasje’, është më se e qartë që tanimë, marrëdhëniet mes pushteteve nuk janë në harmoni dhe as brenda kufijve të tyre kushtetues.
Me sa duket konflikti aktual, e ka pikënisjen te “paraja publike”, ku një përplasje në distancë mes Kryeministrit dhe sistemit të drejtësisë ka vënë në qendër, kërkesën për paga më të larta, gjë që sipas Shellës një diskutim i tillë për rritjen e pagave është një çështje normale dhe historikisht e lidhur me funksionimin e shtetit.
Megjithatë, thekson Shella, përfshirja e pushtetit ekzekutiv në këtë debat është thelbësisht e gabuar. Çështjet që lidhen me buxhetin, përfshirë strukturën e pagave në administratën publike, janë kompetencë ekskluzive e Kuvendit. Parlamenti është institucioni që miraton paketën fiskale dhe buxhetin e shtetit, duke vendosur edhe për zërat e pagave.
Përfshirja e ekzekutivit në këtë proces, sipas Shellës mund të shihet si një ndërhyrje pa dashje ose me qëllime jo të mira në një fushë që nuk i takon. Nga ana tjetër, qasja e pushtetit gjyqësor për ta çuar çështjen në Gjykatën Kushtetuese konsiderohet një hap plotësisht legjitim dhe brenda kuadrit ligjor. Gjyqtarët nuk kanë ndërmarrë greva sindikale apo protesta, por kanë zgjedhur rrugën institucionale për të kërkuar të drejtën e tyre. Kjo e zhvendos debatin nga një çështje politike në një çështje të të drejtave të punës.
Megjithatë, thelbi i problemit duket se është edhe më i thellë se sa debati për pagat, për shkak se siç thotë Shella, sistemi i drejtësisë sot vuan nga një mungesë dramatike e personelit. Një zgjidhje racionale dhe e drejtë, sipas Shellës, do të ishte që fondet e buxhetuara për pagat e pozicioneve vakante të rishpërndaheshin për gjyqtarët aktualë, të cilët po kryejnë punën e disa personave.
Një gjë mund të thuhet me siguri. Pushtetet nuk janë në harmoni, pushtetet nuk janë në partneritet, pushtetet nuk janë më në sinorët e tyre kushtetues. Pra, ne do na pëlqente që ata të ishin si të thuash brenda domenit të tyre të ushtrimit të kompetencave dhe në këtë mënyrë, si të thuash, loja apo ndërveprimi mes tyre të ishte pa friksion, pa fërkim, pa nxehtësi. Duket se pushtetet janë në e kanë takuar njëri-tjetrin, e kanë takuar tek paraja, madje jo vetëm tek paraja e zezë, po tek paraja publike dhe sot ne po shikojmë shfaqjen, shpërfaqjen e asaj se si për ca para publike më shumë, kemi një diskutim të acaruar, të inflamuar midis shefit të ekzekutivit, pra pushtetit ekzekutiv po e përmbledh dhe pushtetit gjyqësor. Ky i fundit në fakt nuk është se po bën ndonjë herezi të jashtëzakonshme. Të diskutosh rritje page, unë mendoj që është diskutimi më normal dhe ndoshta diskutimi më i lashtë bashkë me kohën kur për herë të parë, po themi, një këshill burrash apo një parlament primitiv, mori përsipër që të mblidhte disa të ardhura për t'i shpërndarë ato në formën e pagave për një kolektiv apo për një shoqëri. Dhe buxheti dhe çështja e pagave janë gjithmonë sinonime tautologjike të njëra-tjetrës.
Çështja duhet të ishte në fakt e parlamentit dhe jo e pushtetit ekzekutiv. Parlamenti i parë në botë dhe mos shkojmë, si të thuash, në thellësi pellazgjike, po parlamenti i parë në botë që është me patjetër anglez, është, pra qëllimi që pati një parlament në Angli ishte për të menaxhuar buxhet. Pra për të mbledhur të ardhura dhe për të menaxhuar buxhet. Buxheti sigurisht shkonte për paga ushtarësh, paga ofiqarësh e kështu me radhë. Dhe kur flasim për rritje pagash apo për strukturë pagash, implikohet pushteti legjislativ, jo pushteti ekzekutiv. Pra unë mendoj që pushteti ekzekutiv është përfshirë, për mendimin tim, ose pa dashje, ose me qëllime jo të mira në këtë diskutim. Nga ana tjetër, qasja që pushteti gjyqësor ka ndjekur është brenda normativës ligjore. Ata nuk është se kanë bërë ndonjë grevë të natyrës sindikale, kanë lënë bosh zyrat e tyre të gjykimit, ose kanë dalë në korridor në shenjë proteste, gjë që ndoshta nuk ju lejohet, jam i bindur që s’ju lejohet, të mbyllin dyert e gjykatave ku punojnë. Por i janë drejtuar Gjykatës. Atëherë palët duhet të presin me qetësi, se kjo nuk është një çështje politike. Çështjet sindikale janë çështjet më të bukura në botë. Pra çështjet e pagës, të drejtave në punë. Ne kemi folur kaq herë.
Duhet të ishte Kuvendi në fakt. Kuvendi ndan buxhet. Pra Kuvendi administron, pra Kuvendi merr vendim lidhur me paketën fiskale të Republikës së Shqipërisë dhe Kuvendi miraton buxhetin në mënyrën që janë dhe zërat e pagave. Po. Nga ana tjetër nuk duhet të harrojmë se pushteti gjyqësor sot që ne flasim është paksa mbi gjysmën e organikave të miratuara. Dhe mua do të më pëlqente për shembull, fjala vjen, do të ishte racionale, pra e drejtë dhe racionale që çfarë nuk i jepet kolegëve, se ata, për shembull fjala vjen, gjykata e Apelit, nga 78, se për apelin diskutohet tashmë më shumë, më shumë sesa për këto shkallën e parë dhe Gjykatën e Lartë apo Gjykatën Kushtetuese, në Apel nga 78 gjyqtarë që ka të miratuar organika, punojnë 25, ja 30 po e rrumbullakosim, 30 gjyqtarë. Do të ishte e drejtë dhe racionale që 2/3 e pagave që nuk i jepen asnjë organike dhe që nuk lëvrohen rrjedhimisht sepse s'punon njeri aty, t'i merrnin këta që punojnë sa për sa për tre veta. Pra unë mendoj që kjo është racionale të diskutohet. Ata nuk kanë ndihmësat e duhur ligjorë. Duhet të kenë nga dy ndihmësa ligjorë. Sepse duket sikur, duket sikur çështja është që pra po të duam ta avancojmë mendimin dhe të mundohemi të jemi kritik në raport me çështjen.