BE-ja kundër FIFA-s për rikthimin e Rusisë në futboll: Jo gjithçka është e negociueshme

Bashkimi Europian ka reaguar ashpër ndaj çdo ideje për rikthimin e Rusisë në futbollin ndërkombëtar, duke iu përgjigjur drejtpërdrejt deklaratave të fundit të presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino. Komisioneri europian për Sportin, Glenn Micallef, ka qenë i prerë në qëndrimin e tij, duke theksuar se sporti nuk mund të shkëputet nga realiteti politik dhe vlerat që përfaqëson.

“Sporti nuk ekziston në vakuum. Ai pasqyron atë që jemi dhe atë që zgjedhim të përfaqësojmë”, ka shkruar Micallef në rrjetin social X. Sipas tij, lejimi i rikthimit të “agresorëve” në futbollin botëror, sikur asgjë të mos kishte ndodhur, është i papranueshëm. “Jo gjithçka është e negociueshme”, ka qenë mesazhi i qartë i zyrtarit europian.

Duke iu referuar edhe afrimit të Lojërave Olimpike Dimërore Milano–Cortina 2026, Micallef ka nënvizuar se BE-ja duhet të riafirmojë modelin e saj sportiv, të ndërtuar mbi përgjegjësinë, solidaritetin dhe respektin e vlerave themelore. Ai ka theksuar rëndësinë e sigurisë publike, qartësisë dhe simbolikës që mbartin vendime të tilla, duke kujtuar se futbolli vendos shpesh ritmin për gjithë botën e sportit.

Komisioneri ka bërë me dije se edhe sporte të tjera, federata dhe shtete anëtare të BE-së kanë shprehur shqetësime serioze për një normalizim të parakohshëm të raporteve me Rusinë. Sipas tij, vendime të kësaj natyre duhet të merren përmes diskutimeve kolektive, vlerësimeve të rreziqeve dhe me kufij të qartë.

Në fund, Micallef u ka bërë thirrje tifozëve, sindikatave, shoqatave dhe të gjithë aktorëve të sportit që të bashkohen brenda dhe jashtë BE-së, për të përcaktuar qartë se çfarë është e pranueshme dhe çfarë jo në sportin ndërkombëtar.