‘Avokat i një afere kriminale’/ Bardhi nxjerr videon: Rama gënjeu në Kuvend për mbetjet e rrezikshme
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka gënjyer në Kuvendin e Shqipërisë në lidhje me mbetjet e rrezikshme, të cilat u nisën nga Porti i Durrësit dhe u kthyen sërish pas shpërthimit të skandalit ndërkombëtar, të denoncuar nga agjensitë e huaja.
Në postimin e tij në Facebook, Bardhi publikoi videon e kryeministrit gjatë interpelancës në Kuvendin e Shqipërisë, duke theksuar se ‘Edi Rama gënjeu në Kuvend për mbetjet e rrezikshme dhe se ai u kthye në avokat të një afere kriminale’.
Postimi i plotë:
Nga mohimi i Edi Ramës në Parlament për mbetjet e rrezikshme tek 33 masat e sigurisë!
12 shtator 2024. Nga foltorja e Kuvendit paralajmërova për eksportin e mbetjeve të rrezikshme nga Shqipëria. Edi Rama i quajti pyetjet që nxirrnin përgjegjësitë e qeverisë së tij:
FANTAZI
SHPIFJE
ALUDIME PSIKOPATOLOGJIKE
Sot kemi 33 masa sigurie për kontrabandë të mbetjeve të rrezikshme, nga kompanitë private tek institucionet shtetërore. Pra, ishin fakte. Jo fantazi.
Ishin prova. Jo shpifje.
Ishte realitet. Jo aludim psikopatologjik.
Kjo nuk është hera e parë që Kryeministri bëhet avokat i një afere kriminale, duke mohuar problemin. Duke gënjyer hapur. Kështu ka mohuar çdo aferë të bashkëpunëtorëve të tij që sot janë në burg ose gati për burg. Dhe kur faktet flasin, Edi Rama hesht! Pastaj, teorinë e mollëve dhe dardhave që ato i hanë gjithmonë pas shpine, e dini të gjithë.
Videoja e 12 shtatorit 2024 nuk ka nevojë për shumë komente!