Guardiola i pakënaqur me shpenzimet e Cityt: Gjashtë skuadra në Premier League kanë investuar më shumë se ne
Pep Guardiola ka befasuar opinionin sportiv me deklaratat e tij të fundit, duke shprehur hapur pakënaqësinë ndaj politikave financiare të Manchester Cityt.
Tekniku spanjoll ka theksuar se, ndryshe nga perceptimi i përgjithshëm, City nuk është më klubi që shpenzon më shumë në Premier League.
“Jam pak i trishtuar dhe i mërzitur, sepse për nga shpenzimet në pesë vitet e fundit, Manchester City renditet vetëm i shtati në Premier League”, u shpreh Guardiola.
Ai shtoi se do të dëshironte që klubi i tij të ishte në krye edhe nga ana financiare: “Do të doja të ishim të parët. Nuk e kuptoj pse klubi nuk shpenzon më shumë para”.
Sipas Guardiolës, sukseset e mëdha të Cityt në vitet e kaluara kanë ardhur si pasojë e investimeve të konsiderueshme, ndërsa tani situata ka ndryshuar ndjeshëm.
“Ne kemi fituar në të kaluarën sepse kemi shpenzuar shumë. Tani janë gjashtë ekipe që synojnë të fitojnë Premier League, Ligën e Kampionëve dhe FA Cup, sepse kanë shpenzuar më shumë se ne në pesë vitet e fundit. Këto janë faktet”, deklaroi trajneri katalanas.