Arabia Saudite nuk heq dorë nga Vinicius, konfirmohet strategjia për transferimin e yllit të Realit
Arabia Saudite vazhdon të mbajë nën vëzhgim Vinicius Junior dhe nuk ka ndërmend të tërhiqet nga ideja për ta transferuar sulmuesin brazilian në të ardhmen e afërt.
Konfirmimi ka ardhur nga drejtori ekzekutiv i Al-Hilal, Esteve Calzada, i cili ka zbuluar interesin konkret të drejtuesve të Superligës saudite për yllin e Real Madridit.
Sipas Calzadas, Omar Mugharbel, drejtori ekzekutiv i Superligës së Arabisë Saudite, e ka bërë të qartë se Vinícius mbetet një objektiv madhor.
“Në rastin tonë nuk ka bisedime direkte, por drejtori ekzekutiv i Superligës, sa herë që pyetet, thotë se nëse Vinícius bëhet i disponueshëm, do të përpiqet ta sjellë”, ka deklaruar ai.
Interesi për brazilianin shihet si pjesë e një reforme të madhe që kampionati saudit planifikon të realizojë në verën e vitit 2026, me synimin për të tërhequr emra elitarë të futbollit botëror dhe për të rritur më tej profilin ndërkombëtar të ligës.
Situata kontraktuale e Viníciusit ka ushqyer spekulime të shumta. Kontrata e tij me Real Madridin skadon në qershor të vitit 2027, ndërsa lojtari raportohet se po kërkon një pagë shumë të lartë për të firmosur një rinovim afatgjatë.
Nga ana tjetër, klubi madrilen nuk duket i gatshëm të plotësojë kërkesat financiare të brazilianit.
Megjithatë, presidenti Florentino Pérez mbetet i vendosur për ta mbajtur Viníciusin në “Santiago Bernabéu”, ndërsa vetë lojtari priret të vazhdojë karrierën te Real Madridi, pavarësisht tensioneve të fundit me tifozët, të cilët kanë shfaqur hapur pakënaqësi ndaj tij në javët e fundit.