Ra pa ndjenja pas përplasjes me policinë, ambulanca vonohet mbi 40 minuta, protestuesi i shtrirë në tokë
Një situatë dramatike është shënuar gjatë protestës së banorëve në Baks-Rrjoll, në Shkodër, ku një prej pjesëmarrësve është rrëzuar pa ndjenja, ndërsa ndihma mjekësore urgjente ka munguar për më shumë se 40 minuta.
Ngjarja ndodhi gjatë një tubimi paqësor të qytetarëve për çështje pronësie. Në transmetim të drejtpërdrejtë, u panë momente tensioni kur një protestues humbi ndjenjat dhe u shtri në tokë.
Pavarësisht thirrjeve të menjëhershme për ndihmë, autoambulanca nuk u shfaq në vendngjarje, duke shkaktuar zemërim dhe panik mes të pranishmëve. Sipas dëshmive nga vendi i ngjarjes, banorët pohojnë se kishin telefonuar urgjencën prej rreth një ore, por pa asnjë përgjigje. Kjo vonesë e pashpjegueshme dhe e paprecedentë, veçanërisht kur ngjarja po transmetohej drejtpërdrejt, ngre pikëpyetje serioze mbi funksionimin e shërbimit të urgjencës në qytetin e Shkodrës.
Në mesin e zërave të protestuesve, u hodhën dyshime se spitali mund të ketë probleme edhe me furnizimin me karburant për autoambulancat. Në mungesë të personelit mjekësor, ndihma e parë për qytetarin në gjendje të rëndë shëndetësore u dha nga deputeti i Partisë Demokratike, Kliti Hoti.
Zoti Hoti, i cili është me profesion mjek, ndodhej në protestë dhe ndërhyri menjëherë me mjete rrethanore për të stabilizuar gjendjen e protestuesit derisa të mbërrinte ndihma e specializuar. Edhe pse forcat e Policisë së Shtetit ishin të pranishme për të menaxhuar protestën, ishte ndërhyrja e deputetit ajo që ofroi asistencën e parë jetike.