'Stad paralizimi', Grillo: Koha që shqiptarët të reagojnë, të kërkojnë llogari për të mbrojtur…
E ftuar në emisionin ‘A Show, nën moderimin e gazetarit Adi Krasta, aktivistja shqiptare Iva Grillo u shpreh se gjendja aktuale politike dhe sociale në Shqipëri, është një "paralizë e reagimit qytetar" përballë një qeverisjeje të akuzuar gjerësisht për korrupsion dhe arrogancë.
Ajo u shpreh se, vendi ka arritur në një "stad paralizimi", i cili nuk ka ardhur në mënyrë të menjëhershme, por është ndërtuar gradualisht përmes intimidimit, blerjes së favoreve dhe një propagande mediatike të pandalur. Kjo gjendje ka bërë që poshtërimi dhe paraliza të kthehen në një normalitet të pranuar.
Grillo u shpreh se për këtë gjendje, duhet patjetër të krijohet një front i përbashkët dhe një reagim qytetar që vepron si "një trup i vetëm" duke theksuar që opozita, të marrë rolin udhëheqës në këtë thirrje, duke ftuar jo vetëm popullin, por të gjithë aktorët politikë dhe shoqërorë për të reflektuar dhe vepruar.
Aktivistja tha ndër të tjera se po tentohet të hiqet vëmëndja nga mllefi I qytetrëve kundrejt kësaj qeverie dhe skandaleve të saj duke krijuar kakofomi mediatike duke gjykuar opozitën.
‘Ka ardhur koha që shoqëria shqiptare të reagojë kolektivisht për të kërkuar llogari dhe për të mbrojtur standardet demokratike, përpara se paraliza të bëhet e pakthyeshme.’-u shpreh aktivistja
Pjesë nga deklarata:
Mendoj që kjo është më tepër një stad ku shoqëria ka vajtur, stadi i paralizimit të reagimit qytetar dhe kjo nuk vjen në mënyrë të menjëhershme, kjo vjen në mënyrë graduale. Fatkeqësisht është diçka që njihet në reagimet shoqërore, sidomos kur bëhet fjalë për regjime dhe për shoqëri autokratike.
Jo më kot e përmenda pak më përpara faktin që ai mikrokozmosi i sëmurë i vizionit të një klike të caktuar ose dhe të kryetarit të kësaj klike, është transferuar tashmë në shoqëri dhe elementi i poshtërimit dhe elementi i i paralizimit të shoqërisë është kthyer në normë dhe kjo arrihet nëpërmjet intimidimit, nëpërmjet blerjes, nëpërmjet favoreve, nëpërmjet propagandës.
Në këtë moment që jemi është rezultant i shumë e shumë goditjeve që ka marrë shoqëria shqiptare, aktivizmi, dhe një lloj diabolizmi në sjelljen e ose në menaxhimin e fuqisë që ka pasur klika e Rilindasve me Ramën.
Problemi këtu nuk është më tashmë se shoqëria nuk e kupton. Shoqëria është thjesht e pamundur, domethënë kemi një emigracion jashtëzakonisht të lartë dhe kjo e ka bërë shoqërinë më pak vitale.
Nuk ndihmon është një pengesë shumë e madhe edhe propaganda mediatike. Besoj e kemi vënë re, sidomos javët e fundit, sa më shumë rriten skandalet, sa më shumë dalin gjëra të cilat do ishin absolutisht të papranueshme, aq më tepër rritet kakofonia në lidhje me gjykimin publik që i bëhet opozitës, kryetarit të opozitës aksioneve të opozitës e të tjerë. Mendoj që antidoti më i mirë i kësaj, është një shoqëri që vepron si një trup i vetëm.Duke ju referuar zotit Hoxha pak më përpara për idenë e thirrjes për për krijimin e një fronti të përbashkët. Unë mendoj që kjo është thirrja e duhur. Një thirrje që bëhet për një kohë të gjatë. Ka ardhur dhe nga intelektualë të tjerë të mëparshëm, e di që zoti Lubonja e ka hedhur këtë tezë prej kohësh. Zoti Berisha, kryetari i opozitës, e ka hedhur këtë disa herë.
Shikoj që janë dhe disa aktivistë të cilët e kanë hedhur si tezë. Mendoj që politikisht është teza e duhur. Një tezë e cila i takon Partisë Demokratike ta bëjë dhe të thërrasë popullin dhe çdo aktivist, aktor politik e të tjerë. Thirrja për reflektimin i duhet bërë kujdo. Pastaj se si reagohet dhe se si i përgjigjen kësaj, kam frikë se përsëri kthehemi edhe tek ai modeli i rrezikshëm që më shumë flitet sesa dëgjohet, më shumë i bie gjoksit që unë nuk bashkëpunoj me asnjë njeri sepse jam unë i pastër moralisht ose kam unë atë monopolin e të vërtetës.
Mendoj që thirrja është e duhura dhe duhet menduar patjetër, duhet bërë thirrje popullsisë dhe qytetarëve në përgjithësi që të reagojnë si një trup i përbashkët ndaj këtij regjimi. Kjo është diçka që mund të bëhet dhe unë mendoj që është fakt që pakënaqësia ekziston shumë edhe tek votuesit e Partisë Socialiste. Unë para disa javësh isha në Tiranë vetë dhe takova miq, familjarë e të tjerë. Unë mendoj që një përqindje shumë e madhe e popullsisë është jashtëzakonisht e pakënaqur, jo vetëm me reagimin por edhe me me qeverisjen por edhe me modelin imoral të jo vetëm të qeverisjes po të komunikimit publik, të asaj se çfarë përcillet si model tek të rinjtë e të tjerë. Duhet gjetur ai çelësi i krijimit të masës kritike. Opozita, sidomos ata që vërtet duan ndryshimin, unë mendoj që është e nevojshme patjetër lufta për një qeveri teknike.
Nuk e di a mund të arrihet apo jo, por nuk shikoj asnjë rrugë tjetër përveçse presionit për një qeveri teknike. Në një rast të tillë, mendoj që do jetë shumë e nevojshme që opozita të jetë disi edhe më e artikuluar, disi edhe pak më e fortë në presionin që ju bëhet aktorëve të tjerë politikë, ose dhe jo politikë në Shqipëri, që duhet të kenë një pozicionim shumë të qartë tashmë. Bredhja nga një televizion në tjetrin nëpër banaqet televizive duke u marrë gjithë kohën me opozitën, është absolutisht pa sens për momentin, është një shërbim që i bëhet regjimit dhe është përsëri një paralizim që i bëhet nervit qytetar. Është çorientim. Nuk duhet pranuar më asnjë asnjë justifikim nga njerëz të cilët bëjnë gjëra të tilla, por duhet kërkuar pozicionim.