Igli Tare: Mateta? Ja pse dështoi transferimi

Drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare, ka sqaruar arsyet që çuan në mosfinalizimin e transferimit të Jean-Philippe Mateta-s. Pak çaste para nisjes së ndeshjes ndaj Bologna-s, Tare foli për DAZN, duke bërë të qartë se vendimi erdhi pas kontrolleve mjekësore të lojtarit.

“Operacioni Mateta kishte të bënte me të ardhmen, jo me të tashmen. Gjatë negociatave pamë se ekzistonte një mundësi për ta përshpejtuar dhe u përpoqëm ta bënim këtë. Më pas, gjatë vizitave mjekësore, konstatuam problemin fizik që lojtari kishte dhe vendosëm të mos vazhdojmë më tej. Për të ardhmen, do të shohim,” u shpreh Tare.

Sipas drejtuesit kuqezi, Milani ishte i interesuar të investonte me perspektivë, por gjendja shëndetësore e sulmuesit francez i detyroi drejtuesit të tregoheshin të kujdesshëm dhe të tërhiqeshin nga operacioni. Klubi nuk ka dashur të marrë rreziqe, duke pasur parasysh rëndësinë e investimit dhe nevojën për garanci fizike të menjëhershme.

Kështu, Mateta mbetet te Crystal Palace, ndërsa Milani do të vijojë me alternativat aktuale në repartin ofensiv. Megjithatë, Tare nuk e përjashtoi mundësinë që çështja të rihapet në të ardhmen, duke lënë derën hapur për zhvillime të reja nëse kushtet do të jenë të favorshme për të dyja palët.