PS bën hapa pas, nuk ndryshon Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe asaj Territoriale

Partia Socialiste ka bërë hapa pas në lidhje me ndryshimet që kishte propozuar për të bërë në lidhje me dy komisionet e posaçme atë të reformës Zgjedhore dhe asaj Territoriale.

Ka qenë grupi parlamentar i PS-së që ka tërhequr nga rendi i ditës projektvendimin për ndryshimin e paritetit në këto dy komisione.

Më herët gjatë ditës, deputeti i PD-së, Luçiano Boçi deklaroi në parlament se, nëse PS nuk do të tërhiqej nga ky projektvendim, atëherë PD dhe opozita nuk ka pse qëndron aty.

‘Unë shpresoj që të mos kesh marrë me induksion paqartësinë e Ballës. Sepse edhe ai e kishte këtë paqartësi. Opozita ka qenë pjesë e këtij komisioni, por thirrjet e këtij komisioni nuk kanë qenë të realizuara në bazën e rregullores.

Dhe është e qartë sesi do vazhdohet, meqënëse nuk është zgjedhur sekretarja e Komisionit, duhet një dakordësi që ne të vendosim datën e mbledhës. Nëse ata nuk e tërheqin atë vendim, atë propozim, do të thotë se ata marrin shumicën dhe atëherë opozita nuk ka asnjë arsye që të qëndrojë në Komision. Duhet të tërhiqet ai vendim’, tha mes të tjerash Boçi.