Tentoi t’ia mbathte nëpër fusha në errësirë, shqiptari plagoset nga policia, detyrohet të thërrasë vetë ambulancën
Një 30-vjeçar shqiptar ka mbetur i plagosur nga Policia, teksa tentoi t’u ikte oficerëve gjatë një arratisjeje nëpër fusha në errësirë mbrëmjen e së hënës.
Mediat italiane raportojnë se shqiptari u plagos në shpatull dhe ndodhet i shtruar në spital, ku po mbahet nën mbikëqyrje.
Ishte vetë 30-vjeçari që telefonoi urgjencën mjekësore për ndihmë, teksa u gjet në një fushë pranë Monte San Savino, rreth 500 metra nga Autostrada del Sole.
I riu shqiptar tentoi të arratisej së bashku me dy persona të tjerë, ndërsa braktisën makinën Golf me të cilën po tentonin të largoheshin dhe ikën në këmbë pasi kërcyen mbi kangjellat mbrojtëse dhe gardhin.
Policia e Arezzos, ishte vënë në ndjekje të tyre, ndërsa në ndjekje e sipër dhe në errësirë, shqiptari u qëllua një armë zjarri. Hetuesit do të duhet të rindërtojnë të gjithë skenën e ngjarjes, ndërsa prokurori Marco Dioni po ndjek çështjen. I plagosuri është në spitalin e Perugias, ku u transportua me helikopter pas ndihmës së dhënë.
E gjitha filloi në Valdarno në mbrëmje, ku tre persona, mes tyre dhe shqiptari tentuan të vidhnin një banesë me forcë. Brenda automjetit të braktisur nga hajdutët, u gjetën mallra të vjedhura dhe mjete për vjedhje me thyerje.
Tre burrat vrapuan poshtë argjinaturës, duke u përpjekur të iknin në këmbë, por për shkak të një shkëmbimi zjarri njëri prej të arratisurve u plagos në shpatull.