'Aty ku mbaron ligji, fillon tirania' Haxhinasto në Kuvend: Arrestimi dhe trajtimi i Metës, shembull flagrant i diskriminimit

Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, Edmond Haxhinasto denoncoi në foltore arrestimin dhe trajtimin në paraburgim të ish-Presidentit Ilir Meta si një rast flagrant diskriminimi, duke iu referuar gjetjeve të Avokatit të Popullit për shkelje procedurale, përdorim disproporcional force dhe cenim të të drejtave themelore.

Ai kritikoi institucionet shtetërore dhe qeverinë, e cila injoroi detyrimet kushtetuese dhe Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, duke minuar prezumimin e pafajësisë dhe shtetin e së drejtës.

Fjala e Haxhinastos

"Arrestimi dhe trajtimi i ish-Presidentit të Republikës së Shqipërisë, ish-Kryeministrit dhe Kryetarit të Parlamentit, Ilir Metaj, i analizuar përmes gjetjeve të Avokatit të Popullit të Republikës së Shqipërisë, tregon rastin flagrant te diskriminimit dhe ofron një shëmbull ilustrues të sfidave me të cilat përballet sundimi i ligjit në nje demokraci si e jona.
 
Trajtimi me dhune ndaj zotit Metaj, sic eshte shprehur Avokati i Popullit eshte shkelje e hapur e asaj qe eshte sanksionuar në dispozitat kushtetuese kombëtare dhe në Nenin 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, qe e quan mbrojtjen nga kjo dhune një të drejtë absolute. Dhe shkelja e nje te drejte absolute eshte shkelje e rende e ligjit. Dhe ku mbaron ligji, fillon tirania.
 
Jurisprudenca e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut konfirmon qartë se shtetet kanë një detyrim pozitiv jo vetëm të përmbahen nga akte të tilla, por edhe të parandalojnë, hetojnë në mënyrë efektive dhe sanksionojnë çdo sjellje që përbën trajtim çnjerëzor ose degradues, pavarësisht nga statusi ose rëndësia politike e personit në fjalë. Ju kete nuk e beni. Perkundrazi, e injoroni. Ky eshte diskriminim, Shkelje e ligjit. Dhe ku mbaron ligji, fillon tirania.
 
Dinjiteti njerëzor dhe të drejtat e personave të privuar nga liria përfaqësojnë një provë themelore të sundimit efektiv të ligjit. Privimi nga liria nuk pezullon, e perseris NUK  PEZULLON të drejtat themelore të njeriut; përkundrazi, ai i imponon përgjegjësi shtesë shtetit, pasi individi është tërësisht i varur nga autoritetet shtetërore. Shkelja e ketij parimi themelor, eshte shkelje e hapur e ligjit.
 
Në rastin e Ilir Metës, raporti i Avokatit të Popullit nxjerr në pah mangësi serioze procedurale gjatë arrestimit dhe ndalimit, duke përfshirë mungesën e provave se individi është informuar menjëherë për arsyet e arrestimit, kufizimet në të drejtën për akses të menjëhershëm në një avokat, mosdhënien e një karte të të drejtave dhe mirëmbajtjen joadekuate të dokumentacionit zyrtar.
 
Këto mungesa dëmtojnë drejtpërdrejt thelbin e të drejtës për të patur liri dhe siguri sipas Nenit 5 të Konventes Evropiane DNJ-së, siç interpretohet nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, duke theksuar mbrojtjen absolute të dinjitetit njerëzor dhe detyrimin e shtetit për të garantuar të drejtat e çdo individi, pa përjashtim.

Po per Prezumimin e Pafajësisë dhe Gjykimin e Drejtë?

Prezumimi i pafajësisë, i garantuar nga ligji vendas dhe Neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përbën një gur themeli të një rendi demokratik dhe ligjor.

Edhe ne kete salle, sot dikush u shpreh se “duam te heqim nga duart e drejtesise Liderin e Partise”. A ka shkaterrim me te madh te prezumimit te pafajsise, sot ketu ne kete salle, nga njerezit e ligjit. Kjo eshte shkelje e Ligjit.

Ky parim i detyron jo vetëm gjykatat, por edhe degën ekzekutive, autoritetet e prokurorisë, policinë, si dhe median dhe aktorët e tjerë publikë. Çdo etiketim publik, paragjykim i fajit SIC BENI JU CDO DITE ose instrumentalizim politik i procedurave penale para një vendimi përfundimtar gjyqësor shkel rëndë prezumimin e pafajësisë dhe minon besimin e qytetarëve në gjyqësor.
 
Po per mungesen e proporcionalitetit në përdorimin e forces, cmund te thoni? A eshte kjo shkelje ligji?

Përdorimi i prangave, mbajtja e tyre brenda ambienteve të policisë dhe trajtimi i individëve pa një bazë të qartë ligjore konsiderohen me të drejtë të paligjshme dhe poshtëruese... Mos harroni: Ku mbaron ligji, fillon tirania.
 
Neni 18 Konventes Evropiane te Drejtave te Njeriut, cfare thote: kur një shtet vepron formalisht brenda kornizës së ligjit, veprimet e tij nuk duhet të nxiten nga hakmarrja politike, drejtësia selektive ose hakmarrja kundër kundërshtarëve politikë.

A eshte kjo nje shkelje ligji?
Dhe ne fund,
Sundimi i ligjit nuk matet nga forca e represionit, por nga qëndrueshmëria e respektimit të procedurave, respekti për dinjitetin njerëzor dhe përputhshmëria me parimet e prezumimit të pafajësisë dhe transparencës.

Nëse kjo nuk respektohet, atëherë këtu mbaron ligji, këtu fillon Tirania.