U informuan nga Berisha, Këshilli i Europës dërgon Komitetin anti-torturë në Shqipëri
Komiteti anti-torturë i Këshillit të Europës ka kryer një vizitë zyrtare në Shqipëri.
Në një njoftim zyrtar të Këshillit të Europës thuhet se janë takuar zyrtarë të lartë në vend.
Po ashtu janë takuar me Avokatin e Popullit dhe ambasadorin e BE në Tiranë.
Ndërkohë ata do të përgatisin edhe një raport që do të publikohet më vonë.
Kujtojmë se në prill të vitit të shkuar, kreu i opozitës, Sali Berisha deklaroi se ishte takuar në Strasburg me përfaqësues të Komitetit anti-torturë të Këshillit të Europës.
“Pata një takim të veçantë në Komitetin anti-torturë. Ai është një komitet i vetëm i kësaj natyre, me lidhje të fuqishme me institucionet e tjera. E informova për gjendjen dramatike të burgjeve dhe jo vetëm të burgjeve, për torturën që ushtrohet në komisariate, në qeli. Për serialin e vdekjeve të të rinjve shqiptarë si kurrë ndonjëherë me potencialin më të madh të helmuar nga droga.
Për gjobën e tmerrshme që paguajnë të burgosurit gjer në 2 mijë euro për të pasur kushtet më minimale. Një vëmendje të veçante kishte këtu tortura publike që ata i bënë ish-presidentit, ish-kryeministrit, ish-kryetarit të parlamentit, Ilir Meta. Këta zotërinj i informova se shqiptarët kanë humbur përfundimisht parimin e prezumimit të pafajësisë, pasi në burgjet e tyre, 67 përqind janë të paraburgosur. Nuk ka një vend të dytë në botë,” deklaroi Berisha.
Kryetari i opozitës i ka denoncuar vazhdimisht këto probleme dhe këto shkelje.