Fëmijët që hanë vetëm, e zhvillojnë komunikimin më herët

Dy fusha zhvillimore në dukje të largëta, të ushqyerit e pavarur dhe gjuha, janë në fakt të lidhura ngushtë: fëmijët që hanë vetëm më shpesh, zhvillojnë të parët aftësitë e tyre të komunikimit, me një numër më të madh vokalizimesh dhe gjestesh që në moshën një vjeçare. Kjo demonstrohet nga një studim ndërkombëtar i udhëhequr nga Italia, Universitetet Tor Vergata dhe Sapienza të Romës, dhe i botuar në revistën Child Development.

Në hulumtim morën pjesë gati 200 fëmijë dhe gjithashtu u përfshinë Universiteti Niccolò Cusano i Romës, Istituto Superiore di Sanità dhe Instituti i Shkencave dhe Teknologjive Njohëse të Këshillit Kombëtar të Kërkimit.

Të ngrënët në mënyrë të pavarur përfaqëson një nga fazat më të rëndësishme të zhvillimit në rritjen e çdo fëmije, dhe është një aftësi që përgjithësisht fitohet brenda gjysmës së dytë të jetës.

"Koha e vakteve nuk është vetëm një mundësi për të plotësuar nevojën për ushqim", thotë Giulia Pecora e Universitetit Tor Vergata, e cila udhëhoqi studiuesit së bashku me Francesca Bellagamba të Universitetit Sapienza, "por është një kontekst në të cilin aktivizohen procese të shumëfishta zhvillimore, që përfshijnë zhvillimin motorik, kognitiv dhe socio-emocional të fëmijës ".

Rezultatet e studimit tregojnë se inkurajimi i të ngrënit të pavarur ka gjithashtu efekte pozitive në zhvillimin e gjuhës. "Fëmijët që mësojnë të hanë në mënyrë të pavarur herët", thekson Bellagamba, "kanë më shumë mundësi për të manipuluar ushqimin dhe për të rafinuar aftësitë e tyre motorike përmes lëvizjeve të duarve, dhe kjo ndikon gjithashtu në aftësinë për të komunikuar përmes gjesteve, gjë që është thelbësore në këtë moshë"./ ANSA.