Dështoi në testet mjekësore për Milanin, sulmuesi po mendon operacionin
Jean-Philippe Mateta po shqyrton mundësinë për t’iu nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në gju, pas dështimit të transferimit të tij te Milani gjatë merkatos së dimrit. Lajmi raportohet nga Sky Sports, që zbardh prapaskenat e një operacioni që ishte shumë pranë finalizimit.
Sulmuesi francez 28-vjeçar i Crystal Palace ishte gati të largohej nga klubi londinez në ditën e fundit të merkatos, por gjithçka u ndal në momentin e ekzaminimeve mjekësore. Mateta nuk i kaloi testet për shkak të një problemi në gju, çka çoi në prishjen e marrëveshjes me klubin italian.
Milani, megjithatë, kishte dijeni për këtë shqetësim përpara nisjes së negociatave. Agjentët e lojtarit kishin dërguar dokumentacionin mjekësor të plotë në Itali që të shtunën, ku përshkruhej qartë problemi fizik. Për të pasur një vlerësim më të detajuar, klubi kuqezi dërgoi një mjek të vetin në Londër për kontrolle të mëtejshme, por në fund vendosi të tërhiqej nga operacioni, i cili vlerësohej rreth 30 milionë euro.
Pas këtij zhvillimi, Mateta ka mbetur te Crystal Palace dhe do të qëndrojë në Londër deri në fund të sezonit. Sipas raportimeve, sulmuesi po mendon seriozisht operacionin në gju, me synimin që të zgjidhë përfundimisht problemin dhe të rikthehet në formën më të mirë të mundshme.
Në këtë sezon, Mateta ka qenë një nga pikat e forta të Crystal Palace, duke realizuar 10 gola në 34 paraqitje në të gjitha kompeticionet. Ai mungoi në ndeshjen e fundit të skuadrës, pikërisht për shkak të negociatave me Milanin, që në fund nuk u konkretizuan.