Kapsolla ndaj Auderos, ndëshkim për tifozët e Interit, u ndalohen transfertat deri më 23 mars, por derbi shpëton

Ministri i Brendshëm i Italisë, Matteo Piantedosi, ka marrë masa të rrepta pas episodit të rëndë të ndodhur në Cremona, ku gjatë ndeshjes Cremonese–Inter një kapsollë u hodh në fushë dhe rrezikoi seriozisht portierin Emil Audero. Sipas vendimit zyrtar, tifozëve të Interit u ndalohet ndjekja e ndeshjeve në transfertë deri më 23 mars 2026, si edhe shitja e biletave për këto takime për banorët e rajonit të Lombardisë.

Siç bën të ditur Ministria e Brendshme, masa është marrë për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, si dhe për të parandaluar përsëritjen e episodeve që mund të cenojnë zhvillimin normal të manifestimeve sportive. Vendimi vjen pas hetimeve të policisë dhe arrestimit të autorit të dyshuar të hedhjes së kapsollës, një ultras 19-vjeçar i Interit.

Megjithatë, nga kjo masë është përjashtuar derbi Milan–Inter i planifikuar për 8 marsin. Arsyeja lidhet me faktin se bëhet fjalë për një ndeshje brenda të njëjtit qytet dhe nuk parashikohen lëvizje tifozësh në transfertë.

Në bazë të këtij vendimi, tifozët zikaltër nuk do të lejohen të ndjekin ekipin në tri ndeshje jashtë fushe: ndaj Sassuolo-s në Reggio Emilia fundjavën e ardhshme, ndaj Lecce-s më 21 shkurt dhe ndaj Fiorentinës në Firence më 22 mars.

Përjashtimi i derbit nga masa ndëshkuese ka edhe një precedent të afërt. Një vendim i ngjashëm, që ndalonte transfertat deri në fund të sezonit për tifozët e Napolit dhe Lazios pas përplasjeve të dhunshme në autostradën A1 më 25 janar, nuk u aplikua për derbin Roma–Lazio, i planifikuar aktualisht për 17 maj.