VIDEO/ Si u shembën brenda pak muajsh rrugët e ‘florinjta’ të dyshes Rama-Balluku

Një shi ka zhbërë propagandën e Rilindjes së Edi Ramës në infrastrukturë. Realiteti në terren na ka treguar këto 3 muaj e fundit se të gjitha rrugët e ‘florinjta’ të Rama-Ballukut kanë qenë thjeshtë fasadë, ashtu siç është çdo punë e rilindjes.

Rrugë kombëtare dhe tunele të inauguruara me ceremoni pompoze po shemben, po çahen ose po mbushen me ujë vetëm pak muaj pas përfundimit të tyre.

Të nisim nga më e hershmja, kur në shkurt 2024, rruga Korçë-Ersekë, e cila kushtoi rreth 60 milionë euro, u shemb duke u kthyer në një rrezik serioz për qarkullimin e qytetarëve.

Zona ishte mbushur me dhe, me një mur rrethues i cili nuk ka mbajtur duke u shembur dhe shkaktuar dëme të mëdha.

Në nëntor 2025, u shemb edhe një tjetër rrugë me vlerë 260 milionë euro, Qukës-Qafë Plloçë, vetëm një muaj pas inaugurimit, duke ekspozuar dështimin flagrant të një prej projekteve më të reklamuara nga qeveria Rama.

Situata është edhe më alarmante në tunele.

janar 2026, Tuneli i Llogarasë, me një kosto rreth 190 milionë euro, nisi të fusë ujë nga të katër anët, ndërsa Tuneli i Murrizit, që ka kushtuar mbi 200 milionë euro, shfaqi të njëjtin problem serioz, duke ngritur dyshime të forta për projektimin dhe zbatimin teknik.

Edhe investimet më të vogla rezultojnë po aq problematike. Unaza e Burrelit, që kushtoi 1.3 milionë euro, u shemb pa u marrë ende në dorëzim nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Në dhjetor 2025, rruga Shëngjin–Velipojë u ça pothuajse në të gjithë gjatësinë e saj, duke u bërë e pakalueshme në disa segmente.

Lista e dështimeve vijon me shembjen e rrugës së Bukmirës në Mirditë në nëntor 2025, rrugës së Prekalit në janar 2026, si dhe rrugës Peshkopi–Lurë, e cila u shemb ende pa u inauguruar. Po në janar 2026, u shemb edhe rruga Derjan–Macukull në Mat, vetëm 8 muaj pas inaugurimit.

Në nëntor 2025, u raportua shembje e rrugës pranë tunelit të Skërficës në Kardhiq, ndërsa në shkurt 2026, shembja e rrugës në Dragostunjë bllokoi aksin kombëtar Tiranë–Korçë. Në Pogradec, disa fshatra u izoluan në janar 2026 pas shembjes së rrugës lidhëse.

Këto raste të përsëritura dëshmojnë se nuk kemi të bëjmë me ‘fenomene natyrore’, por me afera të pastra ndërtimi, mungesë kontrolli, tendera klientelistë dhe heshtje institucionale. Asnjë përgjegjësi penale, asnjë transparencë për kompanitë ndërtuese dhe asnjë shpjegim serioz nga ARRSH apo qeveria.

Ndërkohë, qytetarët paguajnë dy herë: një herë për ndërtimin dhe herën e dytë për riparimin e veprave që nuk rezistojnë as një dimër.