Zyrtare/ Oscar Hiljemark emërohet trajneri i ri i Pisa-s
Pisa Sporting Club ka zyrtarizuar emërimin e Oscar Hiljemark si trajnerin e ri të ekipit të parë. Lajmi është bërë i ditur nga vetë klubi toskan përmes kanaleve zyrtare të komunikimit, duke konfirmuar se drejtimi teknik i skuadrës i është besuar ish-mesfushorit suedez.
Oscar Hiljemark, i lindur në vitin 1992, vjen në Pisa pas një rruge interesante si futbollist dhe trajner. Karrierën si lojtar e ka mbyllur shumë herët, në moshën 28-vjeçare, por me një palmares të pasur: kampion i Suedisë me Elfsborgun në vitin 2012, fitues i Eredivisie me PSV Eindhoven në vitin 2015 dhe kampion Europe Under 21 po në vitin 2015 me Kombëtaren suedeze. Me përfaqësuesen e Suedisë ka marrë pjesë edhe në Kampionatin Botëror 2018, duke grumbulluar gjithsej 28 ndeshje dhe duke realizuar 2 gola.
Rrugëtimin si trajner e ka nisur në vitin 2021 në Danimarkë, në krye të Aalborgut në elitën e futbollit danez. Në vitin 2024 është rikthyer te Elfsborgu, skuadër me të cilën ka arritur dy renditje të rëndësishme në Allsvenskan dhe ka drejtuar ekipin në 16 ndeshje në Europa League.
Hiljemark ka firmosur një kontratë me Pisa Sporting Club deri më 30 qershor 2027, me opsion rinovimi, dhe pritet që të nisë menjëherë punën për objektivat e klubit.
Ndërkohë, ish-trajneri Alberto Gilardino ka përshëndetur klubin pas shkarkimit, përmes një postimi në Instagram: “Rrëzime që na mësojnë mirënjohjen dhe ëndrrat që do të rikthehen më të forta. Fat të mbarë, Pisa”.