Zyrtare / Bylisi ‘shpërthen’ në merkato para Partizanit: tetë afrime të reja për sfidën ndaj ‘demave’
Bylisi ka qenë një nga skuadrat më aktive në ditët e fundit të merkatos, duke mos kursyer aspak në përbërjen e organikës. Klubi ballshiot u nda fillimisht me disa elementë kryesorë si Peralta, Mustafa dhe Malomo, për t’u hedhur më pas fuqishëm në merkato me një valë afrimesh të reja.
Gjatë ditës së djeshme u zyrtarizuan tri përforcime, ndërsa sot klubi ka prezantuar edhe pesë lojtarë të tjerë, duke e çuar në tetë numrin total të afrimeve. Robert Ozols, Xhek Fokam dhe Dime Dimov u prezantuan dje, ndërsa sot vëmendjen e morën Kristian Gjini, Gjorgji Stilov, Pedro Vieira, Tomas Kastro dhe Olávio dos Santos Lima Filho. Përforcimet mbulojnë çdo repart, nga porta deri në sulm, dhe vetëm Kristian Gjini është shqiptar.
Me këtë “revolucion” në organikë, trajneri Mirel Josa do të ketë më shumë alternativa në prag të përballjes me Partizanin. Objektivi i vetëm i Bylisit mbetet fitorja, pikërisht në stadiumin e Ballshit, një fushë që historikisht është kthyer në një makth për “demat”.
Një detaj interesant lidhet me Pedro Vieiran, i cili njihet mirë nga Xhuliano Skuka i Partizanit, pasi të dy kanë qenë shokë skuadre te Penafiel në Portugali.
Pesë prezantimet e ditës së sotme
Olávio dos Santos Lima Filho, 32 vjeç, 1.84 m, është një sulmues brazilian me një karrierë të pasur në Brazil, si edhe eksperiencë në Tajlandë dhe në Superligën kineze. Me përvojën dhe nuhatjen për gol, pritet të jetë një element kyç në repartin ofensiv.
Tomas Kastro, 26-vjeçar portugez, 1.81 m, luan si mesfushor qendre i avancuar. I formuar te Benfica dhe më pas te Braga, ai ka luajtur për disa ekipe në Portugali, ndërsa së fundmi ishte pjesë e União de Santarém në ligën e tretë. Kreativiteti dhe dinamizmi janë pikat e tij më të forta.
Pedro Vieira, 23 vjeç, 1.90 m, anësor dhe sulmues, është produkt i Akademisë së Portos. Ka luajtur edhe në Rusi dhe së fundmi te Penafiel. Vjen për të shtuar forcën dhe cilësinë në fazën ofensive.
Gjorgji Stilov, 30 vjeç, 1.87 m, luan në rolin e mesfushorit shkatërrues. Me një karrierë të gjatë në Maqedoninë e Veriut, ku ka qenë pjesë e Akademija Pandev, Shkupi dhe Makedonija GP, ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit. Ka luajtur gjithashtu në Azerbajxhan me Zira dhe sjell stabilitet e lidership në mesfushë.
Kristian Gjini, 21 vjeç, mbrojtës qendre, është prezantuar pasditen e së hënës. Me formim në akademinë e Atromitos në Greqi dhe eksperiencë së fundmi te Marko në Super Liga 2 greke, ai vjen si një investim me perspektivë për mbrojtjen bardhekuqe.
Bylisi u ka uruar mirëseardhjen të gjithë afrimeve të reja, me shpresën se do të japin menjëherë kontribut në objektivat e skuadrës.