EMRAT/ Valë arrestimesh për hirin kimik të ‘Kurum’, masa për zyrtarë të Mjedisit, doganierë e pronarë të firmave private

Elton Qyno - Syri.Net

Një operacion i gjerë policor në vijim, i mbështetur edhe nga Prokuroria e Durrësit, ku në fokus janë veprimet hetimore ndaj disa subjekteve private që përfshihen në tregtinë e mbetjeve kimike të nxjerra nga kompania metalurgjike “Kurum”.

Siç mëson gazetari Elton Qyno, bëhet fjalë për rreth 33 masa sigurimi që pritet të ekzekutohen, ku përfshihen zyrtarë të Administratës Shtetërore të Mjedisit, doganierë si dhe persona të tjerë të lidhur me subjektet private.

Mësohet se mes emrave janë Marjeta Përlala, Arta Dollani, ish drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, si dhe persona të tjerë, administratorë dhe pronarë të kompanive private.

Kanë mjaftuar gati dy vite hetime që Prokuroria e Durrësit të finalizojë këtë çështje, duke lëshuar rreth 33 masa sigurimi, të cilat variojnë nga “arrest në burg”, “arrest shtëpie” dhe “detyrim për paraqitje”.

Këto masa tashmë janë miratuar edhe nga Gjykata e Durrësit dhe pritet që ditën e sotme vendimi gjyqësor të ekzekutohet nga Policia e Durrësit dhe ajo e Tiranës.

Eksporti i dyshuar i mbetjeve të rrezikshme nga Shqipëria u denoncua më 5 gusht 2024 nga “Basel Action Network”, një organizatë mjedisore me qendër në Shtetet e Bashkuara.

BAN ngriti alarmin se një anije gjigante kontejnerësh prej 175 mijë tonësh e linjës “Maersk” u zhduk në fund të korrikut nga radarët pranë Cape Town në Afrikën e Jugut, pas një sinjalizimi të bërë prej saj tek autoritetet vendase.

Bazuar në të dhënat e ofruara nga një sinjalizues, “Basel Action Network” (BAN) beson se anija “Maersk Campton” dhe një anije e dytë kontejnerësh e së njëjtës linjë, “Maersk Candor”, kanë ngarkuar në Portin e Durrësit, në fillim të korrikut, rreth 100 kontejnerë me mbetje të rrezikshme, të cilat vijnë nga hiri i oxhaqeve metalurgjike elektrike (EAFD), me destinacion Tajlandën.

Bazuar në sinjalizimin e BAN, autoritetet portuale i kanë bllokuar në Singapor kontejnerët e nisur nga Shqipëria dhe ato pritet të rikthehen në Durrës në muajt e ardhshëm.

Prokuroria ka identifikuar kompaninë “Sokolaj” sh.p.k., një kompani import-eksporti mineralesh me qendër në Durrës, në pronësi të shtetases Gjovana Sokolaj, si eksportuese të kontejnerëve, si dhe kompaninë turke “Kurum International” sh.a. si burimin e këtyre produkteve.

Ministria e Mjedisit, në një reagim për mediat në vitin 2024, pranoi se mbetjet e ngarkuara në Durrës vinin nga metalurgjiku.

“Vëllimet e mallrave të cilat dyshohen se përmbajnë mbetje të dala nga procesi teknologjik i realizuar nga kompani ndërkombëtare që operojnë pranë kompleksit metalurgjik në Elbasan”, – thuhet në sqarimin e ministrisë për mediat.

Ndërkohë, kompania “Kurum” ka mohuar të ketë lidhje me eksportin e mbetjeve të rrezikshme.

Bazuar në sinjalizimin e BAN, autoritetet portuale fillimisht i kanë bllokuar në Singapor kontejnerët e nisur nga Shqipëria dhe më pas ato u rikthyen sërish në Durrës.

Prokuroria ka identifikuar kompaninë “Sokolaj” sh.p.k., një kompani import-eksporti mineralesh me qendër në Durrës, në pronësi të shtetases Gjovana Sokolaj, si eksportuese të kontenierëve dhe kompaninë turke “Kurum International” sh.a. si burimin e këtyre produkteve.