Alolli: Nuk ka standarde europiane me korrupsion, Rama mban peng mandatin e Ballukut

Në fjalën e saj të mbajtur në Kuvend, deputetja e Partisë Demokratike, Ledina Alolli, akuzoi qeverinë për mungesë përgjegjësie, kapje të institucioneve dhe mbrojtje politike të aferave korruptive.

Nga foltorja, Alolli u shpreh se nuk mund të ketë standarde europiane dhe integrim real, për sa kohë ministrat nuk japin llogari, fondet publike abuzohen dhe Kryeministri Edi Rama, sipas saj, mban peng mandatin e ministres Belinda Balluku për të mbrojtur interesat e veta. Ajo theksoi se rruga Qafë Thanë–Librazhd nuk u bllokua nga faktorë natyrorë, por nga korrupsioni, duke bërë thirrje për reagim qytetar dhe ndryshim politik.

Ledina Alolli: Ky është pikërisht modeli i kësaj qeverisjeje, ministrat nuk japin llogari për qytetarët, por janë peng i njëri-tjetrit për të mbuluar aferat e tyre korruptive. Dhe sot me këtë realitet, na kërkohet të ratifikojmë marrëveshje evropiane dhe të flasim për standarte, për politika të mira publike dhe për bashkëpunim ndërkombëtar, por nuk mund të ketë standarte evropiane në një qeveri e cila refuzon përgjegjësinë. Nuk mund të ketë besim në fonde kur paratë publike shndërrohen në një burim aferash, nuk mund të ketë integrim europian kur rrugët shemben dhe askush nuk mban përgjegjësi për këtë gjë. Rruga Qafë Thanë-Librazhd nuk u bllokua nga gurët, por nga korrupsioni dhe për sa kohë Edi Rama mban peng mandatin e Belinda Ballukut, Shqipëria do të mbetet peng i një pushteti që nuk qeveris për qytetarët, por për të mbrojtur veten dhe aferat e tij korruptive.

Sepse kur flas për përgjegjësinë e Edi Ramës nuk mund të them qartë edhe këtu në këtë sallë, ky zinxhir mbrojtje politike nuk mund të funksiononte pa ndihmesën e bashkëpunëtorëve institucionalë dhe kur flas për përgjegjësinë e Edi Ramës nuk mund të mos ndalem edhe tek roli i kryetarit të kuvendit zoti Peleshi, pavarësisht nëse ndodhet apo jo sot në drejtimin e seancës, sepse komisioni i mandateve nuk shtyhet rastësisht dhe nuk shtyhet nga procedura, ai shtyhet me urdhër politik dhe ky urdhër vjen nga Edi Rama për të mbajtur peng mandatin e Belinda Ballukut dhe për t'i dhënë kohë kryeministrit, kjo është për ata dhe jo për kuvendin, pikërisht për të mbrojtur aferat e tyre. Ky është një fakt institucional, jo një opinion personal. Kur kryetari i Kuvendit pranon të bëhet instrument i këtij urdhri politik, atëherë problemi nuk është më vetëm një ministre, por është pikërisht kapja e institucioneve dhe kjo është arsyeja pse sot qytetarët nuk besojnë më as te përgjegjësia, as tek drejtësia, as edhe tek shteti.

Edi Rama nuk po mbron një ministre, po mbron aferat e veta dhe për këtë arsye Belinda Balluku nuk ka legjitimitetin të qëndrojë as edhe një ditë më shumë në këtë detyrë. Dhe në fakt, përpos këtyre, ju flisni për integrim europian. E dëgjova edhe sot këtu nga ju zonja drejtuese e seancës. Por sa herë flisni për integrimin europian, akuzat i hidhni mbi ne si opozitë, se gjoja nuk jemi ne për Europën. Por është mirë që të kujtojmë disa të vërteta historike. Integrimin real të Shqipërisë në strukturat euroatlantike nuk e ka bërë kjo mazhorancë, por e ka bërë pikërisht opozita që ju sot e akuzoni. Ishte pikërisht qeverisja Berisha që e futi Shqipërinë në NATO, që liberalizoi vizat për shqiptarët dhe kjo nuk u bë vetëm me propagandë qeveritare, por kjo u bë me veprime konkrete shtetërore.

Ndërsa sot ju që përpiqeni të mbani leksione për Europën, në ato kohë ishit kundër, ishit kundër edhe anëtarësimit të NATO-s në NATO, edhe kundër reformave dhe mos harroni protestat anti-NATO që keni organizuar ju së bashku me kryeministrin tuaj. Ju ishit kundër çdo lloj hapi që e nxirrte Shqipërinë nga izolimi, ndërsa sot ju silleni si proeuropianë, por vetëm në fjalë, sepse për ju Europa është vetëm një slogan. Të futesh në Europë kërkon standarte dhe Europa sot nuk matet me axhenda fjalimesh, por me shtet ligjor, me përgjegjësi, me luftë ndaj korrupsionit. Europa nuk pranon ministra të mbrojtur publikisht nga aferat, as institucione të kapura, as fonde të abuzuara. Prandaj mos jepni leksione për integrimin europian. Ne e kemi bërë Europën me vepra, kurse ju e përdorni Europën si alibi. Ndaj nga kjo foltore pikërisht sot ju bëj thirrje gjithë qytetarëve shqiptarë që për të gjitha këto arsye të gjithë së bashku në datën 10 shkurt për t'i thënë jo kësaj qeverisjeje.