SYRI TV/ Zbardhet dinamika e atentatit në Rrilë, 7 autorët e ngjarjes të kamufluar si policë

7 autorët e atentatit në Rrilë të Lezhës u prezantuan si policë, ndërsa ishin të armatosur me armë zjarri dhe shkopinj bejsbolli. Mes autorëve dhe dy personave në berberhane ka pasur përplasje me armë zjarri. Objektivi i sulmit ishte Merando Nikulaj, i cili u plagos në këmbë dhe 3 autorët e identifikuar të ngjarjes janë në kërkim nga policia. Ndërkohë, efektivi Besart Kovaçi është arrestuar për shpërdorim detyre, pasi ka qëlluar me armë drejt agresorëve dhe mbetet e paqartë roli i tij.

Syri TV

Zbardhet dinamika e atentatit në një berberhane në fshatin Rrilë të Lezhës, mbrëmjen e së dielës, ku mbetën të plagosur pronari i saj, Sokol Daci, dhe Merando Nikulaj. Ky i fundit është anëtar i një familjeje të përfshirë në një zinxhir vrasjesh dhe hakmarrjesh. Dyshohet se 21-vjeçari ka marrë plagë në këmbë dhe është në kërkim nga policia.

Ndërkohë, nga pamjet e kamerave të sigurisë është zbuluar se autorët kanë qenë 7 persona, të cilët kanë mbërritur me dy makina pranë berberhanes. Të kamufluar dhe me kapuçë në kokë, ata u prezantuan si policë, duke u thënë personave në berberhane që të mos lëviznin. Pesë prej autorëve ishin të armatosur me armë zjarri automatike, ndërsa dy të tjerët mbanin shkopinj bejsbolli.

Nga veprimet hetimore rezulton se autorët kishin për qëllim dhunimin e 21-vjeçarit Nikulaj, me të cilin kishin pasur konflikt gati një vit më parë. Por, në ambientin e berberhanes, ku Nikulaj po qethej, janë përballur me të shtëna me armë zjarri. Sipas të dhënave, krahas efektivit të policisë Besart Kovaçi, dyshohet se ka qëlluar me armë edhe vetë 21-vjeçari Nikulaj.

Njëri prej anëtarëve të grupit të atentatorëve është kundërpërgjigjur me breshëri automatiku. Plumbat kapën Dacin, i cili u transferua në Spitalin e Traumës në Tiranë. Ndërsa 21-vjeçari Nikulaj, i cili dyshohet po ashtu të jetë plagosur, është zhdukur pa lënë gjurmë. Ai është shpallur në kërkim nga policia.

Bashkë me të, në kërkim janë edhe 3 nga grupi i agresorëve: Gerardo Ndoka, Eliseo Ndoka dhe Kevin Ndoka. Ndaj tyre janë ngritur akuzat “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtje pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit”.

Më herët, me urdhër të Prokurorisë, u ndalua edhe polici 24-vjeçar Besart Kovaçi, i dyshuar për “shpërdorim detyre”. Roli i tij në ngjarje mbetet i paqartë. Ngjarja dyshohet të ketë si shkak një konflikt të mëhershëm mes fisit Nikulaj dhe Ndoka.