Luan Baçi: Mafia ka kapur shtetin, ja si mbrohen zyrtarët e korruptuar
Në një fjalim të ashpër gjatë seancës plenare, deputeti i Partisë Demokratike Luan Baçi ka lëshuar akuza të rënda ndaj qeverisë dhe funksionimit të institucioneve, duke pretenduar se Shqipëria është kapur nga një "grupim politik hajdutësh" dhe se parlamenti është kthyer në një "zyrë noteriale" në shërbim të kryeministrit.
Sipas deputetit demokrat, vendi vazhdon të jetë në krye të listave europiane për trafikun e lëndëve narkotike, duke iu referuar raporteve të SPAK që dëshmojnë sekuestrimin e mbi 130 kg kokainë e heroinë dhe mbi 6 tonë lëndë të tjera narkotike, me vlerë dhjetëra miliona euro.
Ai kritikoi ashpër rolin e parlamentit, duke e cilësuar atë si një institucion që kalon ligje pa debat konstruktiv dhe që nuk i shërben interesit publik, por vetëm një grupi të caktuar që ka uzurpuar të gjitha pushtetet. "Prej më se një dekade, ky parlament është shndërruar në zyrën qëndrore noteriale për kalimin e çdo ligji klientelist dhe vendimmarrje të errët politike," u shpreh ai.
Një nga pikat qendrore të fjalimit ishte akuza për kapjen e sistemit të drejtësisë. Deputeti deklaroi se mazhoranca, e udhëhequr nga kryeministri, ushtron presion mbi Gjykatën Kushtetuese dhe organet e tjera të drejtësisë për të mbrojtur njerëzit e regjimit, duke përmendur emrat Rama, Balluku dhe Agaçi.
Në mënyrë të veçantë, ai u ndal te rasti i zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke theksuar se mazhoranca refuzon në mënyrë arrogante t'i heqë imunitetin, pavarësisht se ajo është marrë e pandehur nga SPAK me "prova dhe fakte të pakundërshtueshme për aferat korruptive të saj". Sipas tij, Balluku mbetet e pacënuar sepse i shërben regjimit, duke anashkaluar ligjin dhe barazinë para tij.
Në kontrast, deputeti përmendi rastin e një gjyqtareje të dënuar në Greqi, e cila, sipas tij, jo vetëm që nuk hetohet në Shqipëri, por i është dhënë "misioni i veçantë të përdorë kamxhikun kundër opozitës dhe liderit të saj, Sali Berisha".
Lidhur me dosjet e bujshme të korrupsionit si ajo e inceneratorëve dhe "5D", deputeti pohoi se ato ose "pluhurosen", ose mbyllen me dënime qesharake, pasi të gjithë të përfshirët janë "hallka të të njëjtit zinxhir që mban të lidhur mafien në pushtet". Kjo mafie, sipas tij, ka grabitur qindra miliona euro përmes projekteve infrastrukturore, si ndërtimi i rrugëve dhe tuneleve të pakolauduara që rrezikojnë jetën e qytetarëve.
Luan Baçi: Sa i përket lëndëve narkotike, sërish vendi ynë është në krye të listës në vendet evropiane për këtë çështje. Për këtë mjafton t'i referohemi disa nga raporteve të SPAK-ut dhe strukturave hetimore për vitin 2025, ku ndër të tjera bëhet e ditur se nga dy aksione në bashkëpunim me Interpolin janë sekuestruar rreth 130 kg kokainë dhe heroinë me vlerë të mundshme tregu mbi 12 milionë euro. Si dhe nga goditja e një rrjeti tjetër kriminal, ku u sekuestruan mbi 6 tonë lëndë narkotike me vlerë miliona euro.
Por, siç duket në këtë seancë, edhe votimi i këtij draftligji kthehet në një burokraci të rëndomtë votimi, pa asnjë debat konstruktiv dhe kjo sepse rendi i ditës përfshin si gjithmonë kaq shumë pika, sa duket qartë që parlamenti funksionon si një noter nën urdhrat e kryeministrit dhe asgjë më shumë se kaq. Këtë e kemi parë në çdo seancë dhe në vazhdimësi. E pra, të dashur qytetarë, të nderuar kolegë, ky parlament po kalon kohën më absurde politike, ku në asnjë nga seancat plenare nuk miratohet qoftë një ligj i vetëm që t'i shërbejë realisht, plotësisht interesit publik.
Por çdo gjë bëhet në interes të një grupimi politik hajdutësh që ka uzurpuar të gjitha pushtetet. Në regjimin e pushtetit ku gjendemi dhe që mbahet në këmbë me korrupsion, me para të trafiqeve dhe krimit të organizuar, institucionet janë kthyer në masha të interesave klanore dhe jo në shërbim të qytetarëve. Prej më se një dekade, ky parlament është shndërruar në zyrën qëndrore noteriale për kalimin e çdo ligji klientelist, vendimmarrje të errët politike, pa asnjë transparencë dhe konsultim publik apo ekspertizë të profesionistëve.
Kjo është vetëm njëra anë e medaljes, sepse ana tjetër është fytyra e kapjes kriminale të mazhorancës, e cila mban peng prej kohësh drejtësinë e ashtuquajtur të reformuar. Me në krye shefin e qeverisë, kryeministrin tuaj, kjo mazhorancë i bën presion Gjykatës Kushtetuese dhe organeve të piramidës së drejtësisë për të mos cënuar as edhe një fije njerëzit që i shërbejnë regjimit, Rama, Balluku, Agasi dhe shumë të tjerë. Mazhoranca është vënë në rresht nga urdhrat e kryeministrit dhe klani i tij nuk pranon në mënyrë më arrogante dhe në shkelje flagrante të parimeve demokratike të dorëzojë imunitetin e zëvendëskryeministres, zonjës Balluku.
Zonja Balluku është marrë e pandehur nga SPAK, duke paraqitur prova dhe fakte të pakundërshtueshme për aferat korruptive të saj. Zonja Balluku qëndron e pacënuar në majat e regjimit që ajo i shërben prej shumë vitesh. Për të nuk ekziston as ligji, para të cilit duhet të jemi të gjithë të barabartë, as maliqët sepse janë të gjithë ushtarë të partisë shtet dhe kështu regjimi po i shkon deri në fund me arrogancë alibisë për mos të dorëzuar imunitetin e njeriut që ka firmosur skemat më të rënda korruptive që njeh historia e Shqipërisë që nga formimi i shtetit. Alibitë e pushtetit ndaj bijve të vet nuk kanë së mbaruari, edhe pse janë në grahmat e fundit. Por çdo lloj rezistence tashmë është pa vlerë. Por kemi dhe anën tjetër. Një gjyqtare me tre apo pesë mbiemra, e dënuar të zezë mbi të bardhë në Greqi, jo vetëm nuk hetohet dhe aq më pak të dënohet nga drejtësia e kapur nga qeveria, sepse i është dhënë misioni i veçantë, të përdorë kamxhikun kundër kundër opozitës dhe sidomos kundër liderit të opozitës, profesor doktor Sali Berishës.
Nga ana tjetër, dosjet e inceneratorëve, 5D-të e bashkive, apo dhjetëra të këtij lloji, ose pluhurosen, ose ezaourohen me dënime qesharake. Përse ndodh kjo? Sepse janë hallkat e të njëjtit zinxhir që mban të lidhur mafien në pushtet. Mafien që ka grabitur qindra milionë euro tek ndërtimi i rrugëve që çahen me shirat dhe ngricat e fillim vitit, me tunelet e pakolauduara nga jugu dhe në veri, që rrezikojnë jetën e mijëra shqiptarëve. Mafia Rama, Balluku, Agasi dhe të tjerë, ka përvetësuar pa asnjë ndroje dhe frikë nga ligji me dhjetëra miliona euro nga buxheti i investimeve që nuk u kryen kurrë në infrastrukturën e bujqësisë…