Upamecano pranon ofertën e Bayernit për rinovimin e kontratës deri në vitin 2030
Dayot Upamecano ka pranuar ofertën e Bayern Munich dhe shumë shpejt do të nënshkruajë kontratën e re me kampionët e Gjermanisë, duke e lidhur mbrojtësin francez me klubin deri në vitin 2030.
Sipas ekspertëve të merkatos, vetë Upamecano kontaktoi drejtuesit e Bayernit në orët e fundit të sesionit dimëror të transferimeve për t’u shprehur se është dakord me kushtet e kontratës së re.
Menaxheri i lojtarit ka informuar gjithashtu klubet e tjera që ishin të interesuara për shërbimet e tij, duke sqaruar zgjedhjen e mbrojtësit për të qëndruar në “Allianz Arena”.
Rinovimi përfshin një bonus firmë prej 20 milionë eurosh, i paguar në katër këste, si dhe një pagë vjetore bruto prej 20 milionë eurosh.
Drejtuesit e klubit bavarez kanë bërë një përpjekje maksimale për të realizuar këtë marrëveshje, duke prekur edhe limitet financiare të klubit për të siguruar që Upamecano të qëndrojë pjesë e projektit afatgjatë të Bayernit.
Ky rinovim konsolidon mbrojtjen e Bayernit dhe siguron vazhdimësinë e një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës në sezonet e ardhshme.