Policia futi përgjuesa për të kapur Erjon Llapushin/ Dedektivja private shkoi në banesë për t’i hequr, procedohet
Elton Qyno – Syri.net
Një dedektive private është proceduar nga policia dhe prokuroria e Korçës, për akuzën e “Veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, pasi ka shkuar në banesën e një personi në kërkim për vrasje, duke tentuar të heqë një paisje përgjimi që policia kriminale kishte vendosur në banesën e tij.
Bëhet fjalë për veprime hetimore me qëllim lokalizimin dhe arrestimin e Erjon Llapushit, person i dënuar për vrasjen e kamarierit në Elbasan, në restorantin “Fish City”.
Llapushi është një person nga Pogradeci, i dënuar me 17 vite burgim. Policia kriminale ka bërë disa herë përpjekje për kapjen e tij por pa rezultat. Në kuadër të veprimeve të kryera, më qëllim mbledhjen e provave për lokalizimin dhe arrestimin e tij, policia ka kryer një kontroll.
Dhe në kontroll e sipër ka vendosur paisjen përgjuese. Pas largimit të policisë, familjarët e Llapushit kanë marë masa për të kontrolluar me dedektorë banesën e tyre, me qëllim zbulimin e paisjeve përgjuese.
Ata kanë kontraktuar një vajzë që prezantohet si dedektive private, e cila ka shkuar në banesë për të kryer veprime dedektuese me qëllim, zbulimin e paisjeve të policisë.
Në dijeni të këtyre veprimeve ka hyrë policia e Korçës, e cila ka telefonuar detektiven private, duke i kërkuar të paraqitet në ambjentet e komisariatit.
Pas marjes në pyetje, dedektivja private është proceduar penalisht për akuzën e “Kryerjes së veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.
Aktualisht materialet hetimore i kanë kaluar prokurorisë së Korçës për ndjekje në vijimësi të rastit në fjalë.