'Kam qënë në shtëpinë e tij'/ Lajçak për Epstein: Nuk i mbaj mend ato mesazhe, ndihem si idiot
Miroslav Lajçak deklaroi se nuk i kujtohen mesazhet që ka shkëmbyer me Jeffrey Epstein dhe se nuk mund ta konfirmojë vërtetësinë e tyre, por as nuk mund t’i mohojë. Në një intervistë për Radio Slovakia, ai tha se, pasi i rilexoi mesazhet e publikuara së fundmi, “ndihet si idiot”.
Emri i diplomatit sllovak u përmend në publikimin e fundit të dosjeve të lidhura me Epstein të premten. Të nesërmen, Lajçak dha dorëheqjen nga posti i këshilltarit të kryeministrit Robert Fico. Deri atëherë, ai kishte shmangur daljet në media, duke reaguar vetëm përmes deklaratave me shkrim, raportuan mediat sllovake.
“Sinqerisht, nuk i mbaj mend ato mesazhe. Nuk mund t’i konfirmoj, por as nuk mund t’i mohoj”, tha ai, duke iu referuar korrespondencës së publikuar. “Por kjo nuk më liron nga përgjegjësia. Tregova gjykim të keq dhe komunikim të papërshtatshëm. Ato mesazhe nuk ishin gjë tjetër veçse një akt idiot i egos mashkullore – shaka të vetëkënaqura”, shtoi Lajçak.
Ai shpjegoi se në vitin 2017 kishte mbërritur në Nju Jork për të marrë një post njëvjeçar në Kombet e Bashkuara dhe se Epstein iu prezantua nga një diplomat i lartë i huaj. Sipas tij, Epstein ishte i njohur gjerësisht dhe takohej me figura të shumta biznesi dhe politike në SHBA dhe jashtë saj.
“Nuk pashë asnjë arsye për të mos u takuar me të. Krijimi i rrjeteve është pjesë e punës sime. Pse të mos e pranoja unë, një djalë nga Sllovakia? Ishte një kontakt i vlefshëm”, tha ai.
Lajçak theksoi se më vonë ishte vënë në dijeni të dënimit të Epstein për krim seksual në vitin 2008, por shtoi se shumë figura me ndikim vazhduan të shoqëroheshin me të edhe pas kësaj. “Kjo më bëri të besoja se nuk kishte problem që të bëja të njëjtën gjë”, u shpreh ai.
Ai konfirmoi gjithashtu se kishte qenë në apartamentin e Epstein, por tha se në ato takime ishin të pranishëm edhe figura të tjera të biznesit dhe politikës. “Nuk kishte të dashura. Ajo pjesë e jetës së tij ishte e panjohur për mua. Ai nuk foli për këtë dhe unë nuk pyeta. Ndërgjegjja ime është e pastër”, deklaroi Lajçak, duke dënuar krimet që dolën në dritë pas arrestimit të Epstein në vitin 2019.
Në intervistë, ai mohoi gjithashtu se ish-kryestrategu i Shtëpisë së Bardhë, Steve Bannon, ishte takuar me Robert Fico, pavarësisht mesazheve të publikuara që sugjeronin një takim të mundshëm. Kryeministri sllovak nuk ka konfirmuar nëse një takim i tillë ka ndodhur.
Duke komentuar figurat që dikur i konsideronte modele profesionale, Lajçak përmendi ish-Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Annan, dhe ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov. “E ndryshova mendimin tim për Lavrovin kur ai u bë fytyra dhe zëri i agresorit në Ukrainë”, përfundoi ai.