Infantino mbron vendimin e FIFA-s për t’i dhënë Donald Trump ‘Çmimin e Paqes’

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka dalë hapur në mbrojtje të vendimit të institucionit më të lartë të futbollit botëror për t’i dhënë “Çmimin e Paqes” të FIFA-s ish-presidentit amerikan Donald Trump, një vendim që ka shkaktuar debat dhe reagime të forta në opinionin ndërkombëtar.

Në një intervistë për “Sky News”, Infantino theksoi se vlerësimi i Trumpit lidhet drejtpërdrejt me rolin e tij në ndërmjetësimin e disa konflikteve ndërkombëtare.

“Ai luajti një rol të rëndësishëm në zgjidhjen e konflikteve dhe shpëtoi mijëra jetë”, u shpreh kreu i FIFA-s, duke argumentuar se çmimi nuk ka karakter politik, por humanitar.

Donald Trump u bë fituesi i parë i këtij çmimi dhe e cilësoi atë si “një nga çmimet më të mëdha të jetës sime”.

Sipas FIFA-s, arsyeja kryesore për dhënien e këtij vlerësimi lidhet me përfshirjen e Trumpit në një marrëveshje paqeje ndërmjet Republikës Demokratike të Kongos dhe Ruandës, si dhe në arritjen e një armëpushimi mes Izraelit dhe Palestinës.

Megjithatë, vendimi ka nxitur polemika të shumta, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara, ku disa zëra kanë hedhur idenë e një bojkoti të mundshëm të Kupës së Botës nga disa vende. Infantino e ka hedhur poshtë kategorikisht këtë skenar, duke theksuar rolin unifikues të futbollit.

“Në një botë të përçarë dhe agresive, kemi nevojë për momente ku njerëzit mund të bashkohen dhe të ndajnë pasionin e tyre për futbollin”, deklaroi ai.

Infantino shtoi gjithashtu se vendimi i FIFA-s gjen mbështetje edhe nga figura ndërkombëtare të paqes, përfshirë politikanen venezueliane Maria Corina Machado, fituese e Çmimit Nobel për Paqen.

Sipas kreut të FIFA-s, futbolli duhet të mbetet një urë dialogu dhe jo një mjet ndarjeje, pavarësisht polemikave që shoqërojnë vendime të tilla.