Lamine Yamal konfirmon dashurinë për Barcelonën: Shpresoj të qëndroj këtu gjithë jetën
Barcelona zhvilloi një sezon shumë pozitiv 2024–2025, ku disa lojtarë u dalluan me paraqitje të nivelit të lartë, por vëmendjen kryesore e rrëmbeu pa dyshim Lamine Yamal.
Sulmuesi spanjoll, vetëm 18 vjeç, mahniti opinionin sportiv me pjekurinë, talentin dhe ndikimin e tij vendimtar në lojën e skuadrës, duke u shndërruar në një nga figurat më premtuese të futbollit evropian.
Performancat e shkëlqyera i sollën Yamalin edhe vlerësime të shumta individuale.
Ai u rendit i dyti në garën për “Topin e Artë” dhe fitoi disa çmime prestigjioze gjatë sezonit.
Vlerësimi më i fundit erdhi mbrëmë, në përvjetorin e 120-të të gazetës spanjolle “Mundo Deportivo”, ku talenti i Barcelonës u nderua me “Trofeun Mundo Deportivo”, një tjetër konfirmim i statusit të tij në rritje.
Pas ceremonisë së çmimeve, Yamal foli për mediat dhe ndali veçanërisht te e ardhmja e tij te Barcelona.
Fjalët e tij u pritën me entuziazëm nga tifozët katalanas. “Shpresoj të qëndroj këtu gjithë jetën time, aty ku kënaqem çdo ditë, te klubi më i mirë dhe në qytetin më të mirë në botë”, u shpreh sulmuesi, duke treguar lidhjen e fortë emocionale me klubin.
Ai komentoi gjithashtu edhe ndeshjen e ardhshme të Kupës së Mbretit ndaj Albacetes, duke theksuar rëndësinë e saj: “Nesër është një ditë shumë e rëndësishme. Po luftojmë për gjysmëfinalen e Kupës, i cili është një trofe që duhet ta fitojmë”.
Nën drejtimin e trajnerit Hansi Flick, Barcelona synon të ndërtojë një skuadër konkurruese për të gjithë trofetë, ndërsa Yamal pritet të ketë sërish një rol kyç.
Pas golit të mrekullueshëm kundër Elches, tifozët shpresojnë në një tjetër paraqitje brilante të talentit të ri për ta udhëhequr ekipin drejt gjysmëfinales së Kupës së Mbretit.