Merkato e futbollistëve, këto janë 10 transferimet më të shtrenjta të janarit 2026
Afati kalimtar dimëror i vitit 2026 ka mbyllur siparin në ligat kryesore evropiane dhe, sipas të dhënave të publikuara nga “Transfermarkt”, edhe këtë herë tregu është dominuar qartazi nga Premier League.
Klubet angleze kanë qenë protagonistet absolute, duke realizuar shumicën e marrëveshjeve më të mëdha financiare të janarit.
Transferimi më i shtrenjtë i këtij dimri u krye nga Manchester City, që siguroi shërbimet e Antoine Semenyo nga Bournemouth për 72 milionë euro.
Menjëherë pas tij renditet Liverpooli, i cili investoi 63.6 milionë euro për qendërmbrojtësin Jeremy Jacquet nga Rennes, edhe pse lojtari do të mbetet i huazuar në Francë deri në fund të sezonit.
Crystal Palace spikat si një nga klubet më aktive në këtë listë, duke afruar Jørgen Strand Larsen nga Wolverhampton për 49.7 milionë euro dhe Brennan Johnson nga Tottenham për 40 milionë euro.
Tottenhami, nga ana tjetër, përforcoi mesfushën me rikthimin e Conor Gallagher nga Atletico Madridi për 40 milionë euro.
Një nga marrëveshjet më të bujshme jashtë Anglisë ishte rikthimi i Lucas Paquetá në Brazil, me Flamengon që pagoi 42 milionë euro te West Hami.
Atletico Madridi u përforcua në sulm me Ademola Lookman nga Atalanta për 35 milionë euro, ndërsa në listë figurojnë edhe dy transferime nga jashtë Evropës: Al-Hilal afroi talentin 18-vjeçar Kader Meite për 30 milionë euro, dhe Bournemouth bleu Rayan nga Vasco da Gama për 28.5 milionë euro.
Në përgjithësi, merkatoja e janarit 2026 konfirmoi se klubet angleze vazhdojnë të diktojnë ritmin e tregut, me investime gjithnjë e më të mëdha edhe nga ekipet e “shtresës së mesme” të Premier League.
10 transferimet më të shtrenjta të janarit 2026:
Antoine Semenyo – nga Bournemouth te Manchester City (72 mln €)
Jeremy Jacquet – nga Rennes te Liverpool (63.6 mln €)
Jørgen Strand Larsen – nga Wolves te Crystal Palace (49.7 mln €)
Lucas Paquetá – nga West Ham te Flamengo (42 mln €)
Conor Gallagher – nga Atletico Madrid te Tottenham (40 mln €)
Brennan Johnson – nga Tottenham te Crystal Palace (40 mln €)
Ademola Lookman – nga Atalanta te Atletico Madrid (35 mln €)
Oscar Bobb – nga Manchester City te Fulham (31.2 mln €)
Kader Meite – nga Rennes te Al-Hilal (30 mln €)
Rayan – nga Vasco da Gama te Bournemouth (28.5 mln €)