Mziu: Reforma territoriale e 2014-s ishte mashtrim, administrata u trefishua për patronazhistët
Deputeti i PD Xhelal Mziu njëkohësisht edhe anëtar i Komisionit për Reformën Zgjedhore, bëri një denoncim të fortë lidhur me reformën territoriale të vitit 2014, duke e cilësuar atë një dështim skandaloz që i shërbeu mazhorancës për të fryrë administratën me militantë partiakë.
Në studion e ‘Kafe Shqeto’, në SYRI TV me Flavio Qarrin, Mziu zbuloi shifra alarmante që tregojnë se numri i të punësuarve në pushtetin vendor është trefishuar, ndërsa fondi i pagave është pesëfishuar. Sipas Mziut, reforma e ndërmarrë në vitin 2014, e cila iu shit opinionit publik me premtimin për kursimin e 80 milionë eurove nga buxheti i shtetit, rezultoi në një "bumerang". Ai theksoi se jo vetëm që nuk u kursyen paratë, por shpenzimet u rritën në mënyrë eksponenciale.
"Para reformës, pushteti vendor kishte 17 mijë të punësuar. Sot që flasim, janë mbi 41 mijë të punësuar. Pra, numri është pothuajse trefishuar," deklaroi Mziu.
Ai shtoi se fondi i pagave është bërë pesë herë më i madh se në kohën kur ekzistonin 373 njësi vendore. Mziu akuzoi se kjo fryrje nuk ishte e paqëllimshme, por një strategji e mirëmenduar për të krijuar një ushtri patronazhistësh. Ai solli si shembull bashkinë e Kamzës, ku numri i punonjësve ka shkuar nga 376 në vitin 2019, në 2800 sot.
Xhelal Mziu: Është e vërtetë që sot pushteti vendor është në një situatë kritike. Kjo vjen për shkak të një reforme të njëanshme dhe skandaloze që ka bërë kjo mazhorancë në vitin 2014, në të cilën prodhoi një pushtet vendor i cili nuk kishte asnjë lloj krahasimi me vendet e tjera të Bashkimit Europian. Çfarë do të thotë që edhe ne tentojmë për ta arritur dhe për të shkuar tek standarti i tyre. Së dyti duhet të themi që kauza për të cilën u shit në vitin 2014 tek opinioni publik kishte të bënte me shkurtimin e administratës, me kursimin që do t'i bënim buxhetit të shtetit me 80 milionë euro, për t'i ofruar sa më shumë shërbime, që në fakt që atëherë priteshin që jo vetëm që nuk do të ishin risi, por përkundrazi do të ktheheshin në bumerang.
Ajo çfarë ndodhi në fakt është që nga ajo periudhë e deri më sot, jo vetëm që nuk janë kursyer po themi 80 milionë euro buxhetit të shtetit, por përkundrazi, unë po të jap vetëm një argument për të treguar se sa keq ka shkuar kjo reformë, ka patur gjithsej 17.000 të punësuar në pushtetin vendor, ose në 373 njësitë vendore dhe sot... Bashki dhe komuna kanë patur 17.000 të punësuar.
Sot që ne flasim, janë mbi 41.000 të punësuar. Pra çfarë do të thotë që jo vetëm që nuk u kursyen, por u trefishuan. Madje, nëse ne shohim nivelin e pagave, niveli i pagave është rritur aq ndjeshëm saqë i bie që fondi i pagave është pothuajse pesë herë më shumë sesa kur kishim 373 njësi. Pra çfarë do të thotë që të gjithë parametrat shkuan në sensin negativ dhe ajo që përfitoi...
Pra, nuk kanë shkuar paratë, po themi, tek qytetarët, se fundi i fundit pushteti vendor është për t'i ofruar shërbimin sa më afër qytetarëve. Ndërkohë paratë nuk kanë shkuar tek qytetari, por kanë shkuar tek administrata. Dhe nuk është se është e bërë e paqëllimshme ose ka patur një standart që është referuar. Ajo e ka arritur këtë strukturë sepse janë patronazhistë. Pra, po ta shohësh, bashkitë kishin dhe ujësjellësit deri para gjashtë muajsh, dhe ndërkohë pushteti vendor dhe ujësjellësit janë dy institucione që kanë patronazhistët më të mëdhenj në Shqipëri. Kështu që, në këtë kontekst, ajo është një dështim, por kur ndodh një dështim i tillë si ky, atëherë prirja duhet të jetë që të rregullojmë atë se çfarë s'shkon.
Por shohim në opinion, madje edhe duke parë Taulantin që në fakt s'ka asnjë lloj lidhje me pushtetin vendor, përveç se një demagog që del dhe bën deklarata kundraverse me realitetin, ato duan që të dalim përtej këtij skandali akoma, ta thellojnë akoma më shumë. Pra jo për të patur 61 bashki, por për të patur 26 apo 36 si në kohën e diktaturës, pra për të patur në formën e rretheve dhe ndërkohë për ta centralizuar. E gjithë bota demokratike ose Bashkimi Europian shkon drejt decentralizimit, kurse në Shqipëri tentojnë për të shkuar drejt centralizimit. Pra, çfarë do të thotë, për të patur vetëm unin, atë që është sot kryeministër dhe të gjithë të tjerët duhet të jenë, po themi, aksesorë në shërbim të udhëheqësit dhe jo në shërbim të qytetarëve.