'Rasti i gjyqtares Gjoka', Beleri: KLGJ e ka mbrojtur me urdhër politik, u fsheh pas justifikimeve proceduriale

Rasti i gjyqtares Irena Gjoka ka ndezur një debat publik, duke u shoqëruar me akuza për falsifikime dokumentesh, një të kaluar kriminale dhe mbrojtje politike nga nivelet më të larta të sistemit të drejtësisë.

Eurodeputeti Fredi Beleri, nga studioja e 'Kafe Shqeto' tha se gjyqtarja Gjoka nuk i plotësonte kushtet për të ushtruar detyrën, duke iu referuar dënimeve dhe dëbimeve të saj nga Greqia në të kaluarën.

Ai deklaroi se disponon prova të siguruara nga autoritetet greke, të cilat vërtetojnë përpjekjet e saj për hyrje të paligjshme dhe dënimet pasuese.

Sipas Belerit, emërimi i saj në sistem është një "gënjeshtër dhe mashtrim", ndërsa drejtësia në Shqipëri "komandohet nga një njeri i vetëm".

Ai shtoi se Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) duhet të pranonte hapur se po e mbron gjyqtaren me urdhër politik, në vend që të fshihej pas justifikimeve procedurale.

Beleri argumentoi se partnerët ndërkombëtarë nuk e kuptojnë thellësinë e këtij kapjeje, pasi shpesh bazohen në sondazhe publike dhe jo në realitetin e prekshëm.

Të dhënat tregojnë se institucionet që u promovuan si suksesi më i madh i reformës, dyshohet se po përdoren për të mbrojtur individë me të kaluar të dyshimtë, ndërkohë që përdoren për të goditur kundërshtarët politikë.

 

Deklarata e plotë:

"KLGJ-ja më ka njoftuar që po e shqyrton dhe po e merr. Pra, që kishte kompetenca. Pra, dje votuan kryetar i saj që nuk ka kompetenca. Është një gënjeshtër, një mashtrim, të cilën fatkeqësisht ka një pjesë të popullit shqiptar që e pranon. Nuk ka drejtësi.

Drejtësinë e komandon një njeri, e komandon ai që duket sikur është reformuesi i saj.

Unë në mënyrë zyrtare ju drejtova shtetit grek pasi provova që kam interes personal, sepse ajo gjykatëse më ishte ndërhyrë me të padrejtë edhe duke u bazuar në ligjin e dekriminalizimit në Shqipëri që çdo gjykatës ose çdo zyrtar që detyrohet të mbushë atë formular nga privatësia, e gjetur nga privatësia dhe ashtu u detyruan institucionet greke të më japin ato vendime, unë i depozitova dhe në Gjykatë të Lartë që jam atje.

 Pra, më ka dënuar një, një gjykatë e cila ishte formuar në mënyrë të paligjshme, sepse ka një, ka një gjykatëse, zonjën Irena Gjoka, e cila nuk duhet të ishte gjykatëse.

 Po dy a tri tre arsye, jo vetëm për dënimet në Greqi dhe dëbimet, por edhe për problemin që kishte në Shqipëri. Kjo është e pastër dhe e zëmë se unë jam greku i poshtër, ai njeriu që duhet të dënohet, njeriu që nuk duhet të greqizojë Himarën.

Po kjo zonjë ka marrë të gjithë opozitën shqiptare. Si e pranojnë qytetarët shqiptarë dhe dëgjojnë debate nga gjoja juristë në Shqipëri?

Unë, besoj se do ishte më e ndershme nga ana e KLGJ-së të dalin të thonë, kemi urdhër do ta mbrojmë, duam ta mbrojmë, sesa të merren me letra të falsifikuara.

Ka prokurë, ka ekspertizë të Gjykatës së Janinës që viza është falso. Pra, ka marrë vizë homogjene, siç thoni dhe ju, kjo duket, nuk do ndonjë njeri të ketë dije të mëdha juridike që të kuptojë që ajo zonjë është munduar dy herë të futet në mënyrë të paligjshme në Greqi, është dënuar, e di dënimin, ka autorizuar avokat grek.

Avokati është njeri i gjallë dhe e kam takuar unë. Pra, ata mund të mashtrojnë, mund të thonë çfarë të duan, por nuk mund të kalojë njeri për budalla.

Të dalë me një, siç dolën kur gazeta greke tani e kishte nxjerrë për herë të parë këto vendime, kishte dalë Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe kishte mbrojtur zonjën Gjoka.

Të dalë dhe tani me një deklaratë tjetër dhe të thotë, duhet ta mbrojmë me çdo kosto sepse u kemi borxh atyre që na kanë emëruar në këto poste dhe do e bëjmë. Të tjerat janë pallavra, gënjeshtra dhe budallëqe".