SYRI TV/ Berisha: 10 shkurti, dita e kryengritjes paqësore, alternativa e vetme e Ramës, dorëheqja

Lideri i opozitës, Sali Berisha, deklaroi se Edi Rama nuk ka alternativë tjetër përveçse të japë dorëheqjen. Gjatë fjalës së tij në foltoren para Kryeministrisë, Berisha ftoi qytetarët t’i bashkohen protestës së madhe kombëtare të 10 shkurtit dhe theksoi se opozita nuk do t’i ndalë protestat deri në fitore.

"Ndaj edhe 10 shkurti është dita tjetër e kryengritjes tonë paqësore. Më 10 shkurt, shqiptarët në të katër anët ftohen në rrugët dhe sheshet e Tiranës. Qytetarët e Tiranës janë të ftuar të zbresin në shesh për t’i thënë leksionin e merituar këtij regjimi antishqiptar. Miqtë e mi, sot Edi Rama nxin siç nxinte dikur diktatori gjakatar Enver Hoxha; ky është diktatori i drogës i shqiptarëve.

Ndaj edhe shqiptarët duhet t’i rezervojnë të njëjtin fat që i rezervuan diktatorit gjakatar. Edi Rama nuk ka alternativë tjetër përveçse të japë dorëheqjen. Ja ku i themi këtu: ti që fshihesh pas Lubisë, je i pashpresë, sepse edhe Lubia, edhe ti do të shkoni atje ku e keni vendin. Sovrani për zverku do t’ju kapë ju" 

Lideri demokrat kishte një mesazh të qartë për të rinjtë shqiptarë.

"Thirrja ime është për të rinjtë dhe të rejat e këtij vendi. Kombi sot ka nevojë më shumë se kurrë për ju. Ka nevojë më shumë se kurrë për guximin dhe trimërinë tuaj. Dhe mos harroni se, në të gjitha kohërat, në momentet më kritike, kanë qenë të rinjtë dhe të rejat shpëtimtarët e tij. Dhe kjo është arsyeja pse ai sot pret nga ju shpëtimin, pret nga ju fitoren, pret dritën e fitores nga ju dhe zemrat tuaja. Ndaj le të bashkohemi më 10 shkurt për t’i dhënë mësimin e merituar narkokracisë së Tiranës" 

Një mesazh të fortë Sali Berisha kishte edhe për punonjësit e Policisë së Shtetit.

"Një thirrje kam për forcat e rendit. Brenda gjirit tuaj ka njerëz të ndershëm, familjarë të shkëlqyer, atdhetarë të flaktë, njerëz të ligjit. Por brenda jush ka kriminelë, kopukë, trafikantë, të cilët nxijnë.

U bëj thirrje: mos zbatoni urdhrat e tyre. U bëj thirrje: shmangni çdo përplasje me qytetarët që po mbrojnë interesat tuaja, interesat e familjeve tuaja, po mbrojnë interesin e vendit tuaj.

Mos provoni, se kam vënë re herën e fundit se edhe keni gjuajtur, kishit futur edhe palaço që hidhnin kanistra gazi mes tyre, etj. Mos i zemëroni qytetarët, sepse zemërimit të tyre nuk ka forcë në botë që i reziston. Mos i detyroni ata; ata vijnë për t’u marrë me Edi Ramën, jo me ju. Ndaj dhe protesta e ardhshme, edhe po u bashkuat me protestuesit do bëni aktin më patriotik, më të mençur, më atdhetar" tha Berisha. 

Berisha ftoi demokratët që në ditët e mbetura para protestës së 10 shkurtit të trokasin në çdo derë për tu bashkuar në kryengritjen paqësore kundër regjimit.