Policia kap 2 kg kokainë të fshehur në një automjet në doganën e Merdar-it, arrestohen disa persona

Dogana e Kosovës në koordinim me Policinë e Kosovës ka zbuluar rreth 2 kilogramë kokainë të fshehura, në mënyrë të sofistikuar, në një automjet që po hynte nëpërmjet pikëkalimit kufitar Merdar. 

Policia e Kosovës ka thënë se kontrolli i thelluar ishte bërë nëpërmjet një skaneri X-ray, donacion i SHBA-së dhe ndaj përgjegjësve do të ndërmerren masa të mëtejme ligjore. 

Njoftimi i Policisë:

“Gjatë kontrollit të detajuar, janë zbuluar të fshehura rreth 2 (dy) kilogramë lëndë narkotike, për të cilën dyshohet se është kokainë. Substanca ishte e fshehur në mënyrë të sofistikuar brenda automjetit. Për realizimin e kontrollit të thelluar është përdorur edhe skaneri X-ray, donacion i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pajisje e cila ka lehtësuar ndjeshëm punën e zyrtarëve dhe ka mundësuar lokalizimin e saktë të vendit ku ishte fshehur lënda narkotike.  Rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente, ndërsa ndaj personave të përfshirë do të ndërmerren veprimet e mëtejme ligjore, në përputhje me legjislacionin në fuqi”,