Crystal Palace mban Matetën dhe shpenzon shumën rekord për Strand Larsen
Crystal Palace ka zyrtarizuar transferimin e Jørgen Strand Larsen, duke e bërë sulmuesin norvegjez lojtarin më të shtrenjtë në historinë e klubit londinez.
Sipas njoftimit zyrtar, Larsen ka nënshkruar një kontratë katër vite e gjysmë dhe do të mbajë fanellën numër 22. Vetë lojtari u shpreh i entuziazmuar:
“Jam shumë i lumtur që kam mbërritur te Crystal Palace. Ka qenë një ëndërr që kam dashur ta realizoj prej shumë kohësh. Jam këtu për të sjellë energji dhe për të ndihmuar klubin të arrijë objektivat, duke dhënë më të mirën time.”
Presidenti Steve Parish e mirëpriti sulmuesin duke theksuar rëndësinë e tij për skuadrën:
“Jemi të kënaqur që Jørgen ka zgjedhur të vazhdojë udhëtimin e tij të jashtëzakonshëm me ne dhe mezi presim ta shohim në fushë në ‘Selhurst Park’. Jam i sigurt se ai do të jetë një aset i vlefshëm për vitet që vijnë.”
Sipas medieve britanike, Crystal Palace ka paguar për Strand Larsen 43 milionë paundë (rreth 50 milionë euro), plus 5 milionë euro bonuse të mundshme. Klubi nuk ka humbur kohë për të siguruar lojtarin, të cilin e mori nga Wolverhamptoni, edhe pse Jean-Philippe Mateta nuk u largua drejt Milanit, pasi nuk kaloi vizitat mjekësore dhe pritet të operohet.
Me këtë lëvizje, Palace forcon ndjeshëm sulmin, duke mbajtur Matetën dhe duke investuar një shumë rekord për Strand Larsen, duke treguar ambiciet e klubit për pjesën e mbetur të sezonit.