Vrasja e vitit 2016 në Bruksel, shqiptari i dënuar prangoset në Maltë pas 10 vite arratie

Personi i dënuar për vrasjen e përgjakshme të ndodhur në vitin 2016 në lokalin Café & Taverne 54, në rrugën Laeken në Bruksel, është arrestuar në Maltë pas gati dhjetë vitesh arratie.

Lajmi është bërë i ditur nga media belge La Dernière Heure dhe është konfirmuar nga Prokuroria e Përgjithshme e Brukselit, si dhe nga avokatja e të dyshuarit.

Bëhet fjalë për Xhyljan Perdodën, shtetas shqiptar, aktualisht 27 vjeç, i cili u arrestua në Maltë në mesin e dhjetorit dhe u ekstradua drejt Belgjikës. Ai ishte dënuar në mungesë me 18 vjet burg nga Gjykata e Asizës së Brukselit në korrik të vitit 2020. Pas ekstradimit, Perdoda ka paraqitur kundërshtim ndaj vendimit, çka do të thotë se çështja do të rigjykohet nga një gjykatë tjetër.

Ngjarja ka ndodhur më 11 gusht 2016, kur Abdelaziz Bouhali, 35 vjeç, u vra me thikë pas një përleshjeje në lokalin Café & Taverne 54, në lagjen Alhambra. Pamjet e kamerave të sigurisë treguan një përleshje të dhunshme mes viktimës dhe dy personave, Robert Frroku dhe Xhyljan Perdoda. Viktima mori mbi 20 goditje me thikë. Sipas hetimeve, Frroku ka dhënë shumicën e goditjeve, ndërsa Perdoda 7 deri në 8 goditje.

Hetimet zbuluan se konflikti lidhej me konsumimin dhe trafikun e kokainës. Robert Frroku dyshohej se organizonte shitjen e lëndëve narkotike në tualetet e lokalit. Ai u arrestua në Serbi më 19 gusht 2016, u ekstradua drejt Belgjikës dhe në korrik 2020 u dënua me 10 vjet burg, pasi gjykata pranoi rrethana lehtësuese.

Xhyljan Perdoda ishte identifikuar disa ditë pas ngjarjes dhe ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, por kishte arritur t’i shmangej drejtësisë deri në arrestimin e tij të fundit në Maltë.