Flick: Nuk jam i kënaqur me dëmtimin e Raphinha-s, diçka duhet të ndryshojë
Trajneri gjerman Hansi Flick ka dalë në konferencë për shtypin në prag të ndeshjes së Kupës së Mbretit ndaj Albacetes, që do të luhet në stadiumin “Carlos Belmonte”, duke u ndalur te disa tema të rëndësishme, mes tyre dëmtimet, merkatoja dhe mentaliteti i skuadrës.
I pyetur për përballjen ndaj Albacetes, Flick theksoi vështirësinë tipike të ndeshjeve të Kupës:
“Ndeshjet e Kupës janë gjithmonë të veçanta. Prandaj i duam, sepse shpesh sjellin rezultate të paparashikueshme. Kundërshtari nuk ka asgjë për të humbur, vetëm për të fituar.”
Trajneri i Barcelonës foli edhe për dëmtimin e ri të Marc-André ter Stegen, duke pranuar se ishte informuar vetëm pak çaste më parë:
“Sapo e mora vesh lajmin. Ende nuk kam folur me të. Më vjen keq për të. Duhet të presim rezultatet e analizave.”
Më i drejtpërdrejtë ishte Flick për mungesën e Raphinhas, i cili nuk do të jetë i gatshëm për Kupën:
“Të jem i sinqertë, nuk jam i kënaqur. Ai është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne. Duhet të shohim çfarë do të ndryshojë dhe çfarë do të duhet të ndryshojmë ne. Tani nis faza më e rëndësishme e sezonit dhe na duhen të gjithë. Kur një lojtar si ai nuk mund të luajë, nuk është gjë e mirë.”
Sa i përket mundësisë së rikthimit të Ter Stegenit nga Girona, Flick u tregua i rezervuar:
“Nuk kam folur as me të dhe as me Decon. Duhet të presim dhe do të shohim.”
Flick u shpreh i kënaqur edhe me situatën e merkatos dimërore, megjithëse pranoi se largimi i Dros nuk i kishte pëlqyer. Ai foli gjithashtu me kujdes për rikthimin e Gavi-t, duke theksuar se lojtari duhet të ecë hap pas hapi, pa nxitim.
Sa i përket Rashfordit, Flick nënvizoi potencialin e madh të anglezit dhe dëshirën që ai të shfaqë versionin e tij më të mirë, ndërsa për rotacionin në portë dhe te lojtarët rezervë, theksoi se të gjithë duhet të jenë gati, sepse kontributi i tyre është thelbësor.
Në fund, trajneri i Barcelonës vlerësoi edhe paraqitjet e Lamine Yamal dhe veçanërisht të Baldé, për të cilin u shpreh se po bën një punë fantastike dhe mund të jetë një kandidat serioz edhe për kombëtaren.